Lidhje

Kandidati i PDSH-së, prefekti i ardhshëm i komunës së Sarajit


Në Maqedoni, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli të hënën rezultatet e zgjedhjeve të djeshme vendore në komunën e Sarajit të Shkupit.

Sipas këtyre rezultateve, kandidati i partisë Demokratike Shqipare, Bekim Fazliu ka fituar postin e prefektit të kësaj komune. Tashmë prefekti Bekim Fazliu i komunës së Sarajit, i shpallur nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka fituar 59 përqind të votave ndërsa kundërkandidati i tij Isni Jakupi i koalicionit midis Bashkimit Demokratik për Integrim dhe partisë për Prosperitet Demokratik ka marrë 41 përqind të votave.

Dalja e zgjedhësve në votimet e djeshme ka qenë 56 përqind. PDSH do të ketë po ashtu më shumë vende edhe në Këshillin e Komunës. Vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë vlerësuar zgjedhjet në këtë komunë, kryesisht si pozitive, me parregullsi të vogla.

Ambasadori Eruan Fuere i Bashkimit Evropian në Shkup, tha se krismat me armë zjarri për të shënuar fitoret në zgjedhje ndodhin vetëm në Maqedoni. Për t’iu shmangur rreziqeve të mundshme në këto raste, ai sugjeroi përdorimin e fishekzjarreve.

Zoti Fuere ka përshëndetur daljen a grave në numër të madh në zgjedhjet e djeshme. Koalicioni BDI dhe PPD ka paralajmëruar ankesa dhe ka akuzuar partinë rivale (PDSH) për përdorimin e grupeve të armatosura gjatë procesit të zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Saraj u mbajtën për të plotësuar vendin e zbrazur të prefektit, por dhe për Këshillin e Komunës.

Ish-prefekti Imer Selmani nga radhët e PDSH iu bashkua kabinetit të kryeministrit Nikolla Gruevski pas zgjedhjeve të korrikut, 2006. Me fitoren e së dielës, Partia Demokratike Shqiptare vazhdon ta ketë nën kontroll komunën e vetme, atë të Sarajit, që nga viti 2 mijë, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim ka prefektët e saj në katërmbëdhjetë komuna nga zgjedhjet e pranverës të vitit 2005.//lk

XS
SM
MD
LG