Lidhje

Çmimi "Benjamin Franklin", për Shërbime në Diplomacinë Publike

  • Xhim Frai

Departamenti amerikan i Shtetit bëri të njohur këto ditë një çmim të ri, që diplomatët shpresojnë se do t’i nxisë organizatat jo-qeveritare të përmirësojnë imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë. Çmimi Benjamin Franklin për Shërbime në Diplomacinë Publike do t’i jepet çdo vit një kompanie, universiteti, apo agjencie jo-qeveritare. Kjo përpjekje e re bëhet pasi një anketim në shkallë botërore tregoi se imazhi i Amerikës në botë ka rënë gjatë pjesës më të madhe të dekadës.

Në Brazil, në nëntor të vitit 2005, protestuesit anti-amerikanë dogjën flamujt amerikanë me rastin e vizitës së Presidentit Bush në vendin e tyre. Në Greqi, gupet kundër luftës u përleshën me policinë prillin e kaluar, kur Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleeza Rice vizitoi vendin, e shoqëruar nga homologu i saj grek.

Në Departamentin e Shtetit, në Washington, zyrtarë të lartë të marrëdhënieve publike u mblodhën kohët e fundit për të dhënë këshillën e tyre lidhur me mënyrat se si sektori privat mund të ndihmojë ta ndryshojë këtë prirje anti-amerikane. Nënsekretarja e Shtetit për Marrëdhënie Publike, Karen Hughes, thotë se e i mirëpret këshillat:

"Vendi ynë si asnjëherë ka nevojë për këshillën tuaj, për njohuritë tuaja në fushën e komunikimit dhe për aftësinë tuaj të madhe: në se sot vendit tonë do t’i nevojitej ndonjëherë bashkimi i talenteve më të mira, koha është pikërisht tani, kur po përballemi me sfida të mëdha."- tha ajo.

Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs e bëri të njohur medaljen Benjamin Franklin për Diplomacinë Publike, që mban e emrin, sipas fjalëve të saj, “të diplomatit të parë amerikan, të përkushtuar në përmirësimin e botës”.

Synimi i medaljes është nxitja e kompanive amerikane, universiteteve dhe agjencive jo-qeveritare për punë më të mirë jashtë vendit.

"Mënyra e operimit në arenën ndërkombëtare ka një ndikim të madh tek prania e Amerikës në botë. Në të njëjtën kohë, angazhimi me botën shton një tjetër dinamikë, në mënyrën se si popujt dhe vendet e ndryshme të botës mësojnë për vlerat e Amerikës."- tha Rajs.

Një raport i qendrës kërkimore "Pew", flet edhe për humbjen e besueshmërisë së Amerikës edhe mes aleatëve të saj perëndimore. Në vitin 2000, 8 në çdo 10 evropianë kishin mendime pozitive për Shtetet e Bashkuara. Ky numër ka rënë deri në pak mbi gjysmën në Britaninë e Madhe... dhe nën 40 për qind në Francë e gjetkë.

Në Egjipt dhe në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme, më pak se një e treta e popullsisë mendojnë pozitivisht për Amerikën. Një vit e gjysëm më parë, ish-Sekretarja e Shtetit Madeline Albright, duke cituar studimin, fajësoi për zbehjen e imazhit të Amerikës luftën në Irak:

"Lufta në Irak po kritikohet përherë e më tepër, shumica e vendeve mendojnë se ajo e ka bërë botën një vend më të rrezikshëm. Por kur Shtetet e Bashkuara kanë dhënë ndihma, siç bëri ushtria dy vjet më parë ndaj viktimave të cunamit në Indonezi, imazhi i Amerikës në botë u përmirësua menjëherë."-tha zonja Rajs.

Zonja Hughes thotë se imazhi i Amerikës në botë merr formë nga një sërë ngjarjesh:

"Tek imazhi ndikojnë që nga mallrat tona të eksportit e deri tek sjellja e amerikanëve kur udhëtojnë jashtë shtetit."

Zyrtarët e lartë të fushës së marrëdhënieve publike do të zgjedhin 10 mënyrat më të mira se si sektori privat mund të nxisë njohjen e Amerikës në botë dhe rritjen e besimit.//lk

XS
SM
MD
LG