Lidhje

Freedom House nxjerr raportin për gjendjen e të drejtave politike dhe lirive civile në botë


Sipas raportit të organizatës jo-qeveritare, Feedom House, bota është në një gjendje ngecjeje për sa i përket lirisë.

Organizata me bazë në Uashington lëshoi dje raportin e saj vjetor për të drejtat politike dhe liritë civile në botë, duke i klasifikuar vendet në tri kategori: të lira, pjesërisht të lira dhe jo të lira.

Shqipëria renditet si një vend pjesërisht i lirë, ashtu si edhe në të kaluarën, por këtë vit raporti ve në dukje një prirje pozitive, që ka ardhur si rezultat i shtimit të luftës ndaj korrupsionit.

Raporti konkludon se ka patur pak ndryshime në gjendjen e këtyre të drejtave në vitin 2006. Azia është kontinenti me numrin më të madh të vendeve ku gjendja është keqsuar. Në raport thuhet se rreth gjysma e popullatës së botës që jetojnë në kushtet e mungesës së lirive është në Kinë. Në raport vihen në dukje hapat prapa në Timorin Lindor, në Filipine dhe në Tajlandë.

Raporti i Freedom House vë gjithashtu në dukje një rënie të vogël në Afrikë dhe tekson se regjimet autoritare janë forcuar në shumicën e vendeve të ish Bashkimit Sovjetik.

Në raport thuhet gjithashtu se pritja e dekadës së fundit është shqetësuese për shkak të vendosjes së regjimeve që godasin me agresivitet demokracinë. Raporti citon Rusinë, Venezuelën dhe Iranin si shembuj të kësaj prirjeje negative.

Nga 28 vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe ish Bashkimit Sovjetik, 13 janë të lira, 8 pjesërisht të lira dhe 7 jo të lira. Freedom House, thekson se dobësia e institucioneve, edhe pas zhvillimit të zgjedhjeve demokratike në një numër vendesh, vazhdon të pengojë përparimin.

XS
SM
MD
LG