Lidhje

Merkel: Bllokimi i Kushtetutës së BE-së, dështim historik


Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se “do të ishte një dështim historik”, në se vendet e Bashkimit Evropian nuk i japin fund bllokimit të kushtetutës së Bashkimit Evropian.

Duke folur sot në Parlamentin Evropian në Strasburg, zonja Merkel tha se është në interes të Evropës dhe popujve të saj që t’i japë fund procesit për miratimin e Kushtetutës deri në fillim të vitit 2009.

Ajo tha se synimi i Gjermanisë është të ofrojë një plan për çbllokimin e procesit deri në përfundim të presidencës së radhës në Bashkimit Evropian që ka vendi, në muajin qershor.

Planet për kushtetutën e Bashkimit Evropian u bllokuan në vitin 2005, kur votuesit francezë dhe ata holandezë e hodhën poshtë atë me referendume. Projekt-kushtetuta e BE-së duhet të miratohet nga të 27 vendet anëtare, që të hyjë në fuqi.

Zonja Merkel tha gjithashtu se shpreson të rifillojë bisedimet e partneritetit mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Ajo tha se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje për shkak të varësisë së Evropës tek nafta dhe gazi i Rusisë.//lk

XS
SM
MD
LG