Lidhje

Rama: Më lini të jem Kryetar i Bashkisë...

  • Intervistoi: Konda

Zgjidhja e krizës së gjatë parazgjedhore në Shqipëri, ka krijuar një situatë të re politike. Ndikimet më të mëdha po shihen edhe tek koalicioni i majtë që ende nuk i ka përfunduar aleancat elektorale. Por nga shumë analistë zgjedhjet e tanishme shihen si një provë e fortë për kryetarin e socialistëve dhe kryetarin e bashkisë zotin Edi Rama, i cili duket se do të ketë përballë jo vetëm rivalin e pritshëm demokrat por edhe segmente brenda partisë së tij. Për të diskutuar për këto çështje Zëri i Amerikës intervistoi drejtpërdrejt në telefon nga Tirana zotin Edi Rama.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, veç trysnisë së aleatëve, këto ditë ju keni qënë nën trysninë edhe të deputetëve, madje ju humbët dhe një anëtar të kryesisë, zotin Braçe i cili dha mbrëmë dorëheqjen. Ju keni qënë për 18 muaj në krye të parties socialiste. Si e shpjegoni ju udhëkryqin e sotëm në të cilin ndodhet partia juaj?

Edi Rama: Së pari, Partia Socialiste nuk ndodhet në udhëkryq, por ecën përpara e sigurtë dhe e vetëdijshme për forcën e saj dhe njëkohësisht për forcën e bashkimit opozitar. Diskutimet janë të natyrshme në një process si ky, jo vetëm me aleatët, por edhe brenda Partisë Socialiste. Eshtë fare e natyrshme, që eksponentë të Partisë Socialiste të kenë dhe të shprehin mendimin e tyre dhe rezultati final do të jetë shprehje e të gjithë këtyre mendimeve dhe njëkohësisht, do të jetë frut i një debati pasionant, ku mbi të gjitha, është interesi i Partisë Socialiste dhe i opozitës shqiptare, për t’i hapur rrugë një ndryshimi të madh dhe një transformimi rrënjësor në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, duket se një problemi juaj më i madh sot është ai brenda Partisë Socialiste. Zoti Nano ridoli në skenën politike duke ju goditur ju politikisht përmes një sërë akuzash. Si u përgjigjeni ju qëndrimit dhe kritikave të zotit Nano?

Edi Rama: Nuk ka asnjë problem brenda Partisë Socialiste, jua përsëris këtë dhe në rast se ka debat, në rast se ka opinione që nuk janë në unison me njëra-tjetrën, kjo është një pasuri dhe një vlerë e Partisë Socialiste, kjo është shprehje e një familjeje politike që ka unitet në diversitet. Kështuqë unë do t’ju ftoja të mos nguteshit dhe të mos i merrnit të gjitha thashethemet që vijnë nga Tirana si të vërteta të kulluara dhe njëkohësisht do t’ju ftoja të merrnit pjesë në paraqitjen zyrtare të opozitës së bashkuar dhe të kandidatëve të saj ditën e dielë. Të jeni të sigurtë, se opozita do të jetë këtë radhë bashkë, për të ardhmen, jo vetëm bashkë mes partive, por bashkë edhe me të gjithë qytetarët e lire të këtij vendi, që jo vetëm që kërkojnë një Shqipëri të re dhe për Shqipërinë e re ka nevojë për një politikë të re.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, megjithatë zoti Nano ju akuzoi juve si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve nga socialistët në 3 korrik të vitit 2005. Si do t’iu përgjigjeshit ju këtyre akuzvae direkte të ish-kryetarit Nano?

Edi Rama: Unë nuk jam këtu për të ushqyer debatin shterpë, por jam këtu për të ushqyer shpresën dhe njëkohësisht për të garantuar socialistët dhe shqiptarët, se me Partinë Socialiste dhe me këtë koalicion opozitar që ne kemi ndërtuar me durim dhe ditë pas dite, ne do të jemi në gjendje që t’i kthejmë shqiptarëve të gjithë ato garanci që gjatë gjithë kësaj periudhe qeverisjeje të Partisë Demokratike, kanë humbur, apo janë vënë seriozisht në dyshim dhe njëkohësisht, t’u japim atyre më shumë punësim, më shumë rrugë, më shumë zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, në shpalljen zyrtare të kandidaturës suaj ju nuk e konsideruat si një rival zotin Olldashi. Pa përmendur akuzat e opozitës, shumë analistë kanë shprehur dyshime se 6 vjet në krye të Bashkisë së Tiranës mund ta kenë ezauruar imazhin tuaj dhe elektorati mund te ndikohet nga ajo që quhet "sindroma e lodhjes" me të njëjtin politikan. Sa të vështire e shikoni ju sot garën për mandatin tuaj të 3-të?

Edi Rama: Së pari, unë nuk e shoh që ky të jetë mendimi i shumë analistëve; së dyti, le t’ja lemë popullit të Tiranës të gjykojë dhe së treti, unë ju siguroj se kontrata e nënshkruar 6 vjet më parë me qytetarët e Tiranë, për një projekt 9-vjeçar, do të rinovohet edhe për 4 vitet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, zgjedhjet e 18 shkurtit kanë marrë një peshë më të madhe politike se thjesht zgjedhje lokale. Kjo është për ju është sfida e parë si Kryetar i Partisë Socialiste, që jeni aktualisht. Tirana praktikisht është kthyer në simbol të këtyre zgjedhjeve dhe duket se ju keni vënë një bast të forte me të ardhmen tuaj politike. Në se humbisni, a do të tërhiqeni nga partia?

Edi Rama: Le t’ja lemë hipotezat atyre që janë të papunë, apo që jetojnë me trajtimin e hipotezave; unë jetoj me punëtt e përditshme të jetës reale, unë jetoj me shqetësimet dhe nevojat e përditshme të kryeqytetit, unë jetoj me reformimin e përditshëm të Partisë Socialiste; unë jetoj me kantierin e opozitës së bashkuar dhe ju siguroj, se nga fronti im, lajmet janë shumë të mira.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ju përmendët pak më parë, programin tuaj 9-vjecar, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjeter në se fitoni, a do ta mbaroni të gjithë mandatin si Kryetar Bashkie? Kam ketu parasysh zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. A mund t'i jepni elektoratit një përgjigje të qartë tani, në se do lini bashkinë për të qenë deputet, apo do të qëndroni jashtë edhe në parlamentin e ardhshëm?

Edi Rama: Më lini të jem Kryetar i Bashkisë dhe të vazhdoj punën time. Eshtë një punë që jo vetëm ka filluar, por ka hyrë në fazën e saj të plotësimit dhe si e tillë, është një punë që ka fituar respektin dhe dashamirësinë e qytetarëve të Tiranës e nga ana tjetër, është një punë që unë nuk mund ta le përgjysëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ardhja juaj në krye të Partisë Socialiste u komentua fillimisht si një frymë e re, që do të ndikonte në uljen e polarizimit politik në Shqipëri. Por kjo nuk ndodhi. Mosmarrëveshjet e javëve të fundit, ishin një goditje e rëndë për imazhin e Shqipërisë, ashtu siç u pa në komentet e shumë zyrtarëve ndërkombëtarë për krizën zgjedhore, Sa përgjegjës e ndjeni ju veten për krizën e fundit politike në Shqipëri?

Edi Rama: Aspak përgjegjës. Përkundrazi jam shumë krenare që ne gjatë kësaj periudhe opozitarizmi kemi mundur të kthehemi në një barrikadë dhe të parandalojmë të gjitha sulmet agresive ndaj insittucioneve të pavarura të shtetit të ri dhe të brishtë shqiptar, ndaj Kushtetutës së Shqipërisë, ndaj atyre standarteve të cilat konsideroheshin të arritura një herë e mirë dhe u vunë në pikëpyetje për shkak të frymës antidemokratike dhe të raportit problematik me liritë dhe të drejtat e njeriut që ka kjo qeveri dhe përkatësisht, kryeministri ynë simboli i politikës së vjetër dhe të së shkuarës.

XS
SM
MD
LG