Lidhje

Presidenti Moisiu u kërkon partive të nënshkruajnë kodin e sjelljes


Presidenti Alfred Moisiu u kërkoi partive politike që të nënshkruajnë një kod të sjelljes gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 18 shkurtit për pushtetin vendor. Në tekstin e dërguar nga kreu i shtetit kërkohet angazhimi i forcave politike për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, njohjen e rezultatit të tyre, zbatimi i rregullave të barabarta të lojës, respektimin e ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet. Nga ana e tij, zëvendësministri i brendshëm Gjergj Lezhja kërkoi nga efektivat e policisë që të zbatojnë vetëm ligjin e të garantojnë lirinë e votës.

Pasi ishte aktori kryesor i uljes në një tavolinë të shumicës dhe opozitës dhe arritjes së marrëveshjes mes tyre për zgjedhjet duke shpëtuar vendin nga kriza, presidenti Alfred Moisiu u ka kërkuar forcave politike të angazhohen për zgjedhje të lira e të ndershme e të firmosin një Kod Sjelljeje për një fushatë normale zgjedhore. Kreu i shtetit ua ka dorëzuar sot tekstin të gjitha partive.

Sipas këtij kodi, forcat politike do të respektojnë plotësisht Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera që rregullojnë zhvillimin e zgjedhjeve sipas standarteve, do të pranojnë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shpallura të ligjshme dhe të vërtetuara nga KQZ, do të bashkëpunojnë dhe mbështesin plotësisht këtë komision dhe komisionet e niveleve të tjera dhe nuk do të ushtrojnë ndikim politik mbi komisionerët.

Po sipas tekstit të propozuar nga kreu i shtetit, partitë premtojnë se do të punojnë për një klimë tolerance, se do të dënojnë publikisht çdo lloj dhune dhe kërcënimi, do të ndërmarrin çdo hap të mundshëm për të zhdukur format e manipulimit, se nuk do të pranojnë financime nga burime të dyshimta e se nuk do të bëjnë akuza shpifëse apo irrituese ndaj rivalëve në garë.

Po ashtu, kërkohet që partitë dhe kandidatët të mos përdorin strukturat zyrtare, mjediset publike dhe mjetet që financohen nga taksapaguesit për qëllime fushate elektorale si dhe pranojnë largimin nga detyra zyrtare të çdo kandidati që ka konflikt interesi me garën.

Kodi i sjelljes i propozuar nga presidenti Moisiu nuk përbën një akt detyrues por synon të ndikojë në një sjellje normale të partive dhe kandidatëve duke i vënë ata në këtë mënyrë edhe përballë publikut dhe votuesve në lidhje me këto angazhime. Por përvoja e zgjedhjeve të shkuara, dëshmoi se megjithëse partitë firmosën një kod të tillë ata nuk i qëndruan ndershmërisht premtimit të bërë.

Në Shqipëri, një rol delikat në zgjedhje ka edhe policia. Më 3 korrik 2005 asaj iu njoh pozicioni asnjanës që mbajti gjatë procesit. Sot zëvendësministri Lezhja tha se kjo traditë duhet konsoliduar: "shërbimi më i mirë që do t’i bëni vendit, qeverisë dhe vetes tuaj është zbatimi i ligjit dhe vetëm i tij. Sytë dhe veshët tuaj si drejtues strukturash të policisë nuk mund të mbyllen nga papërgjegjshmëria e cilido individi qoftë polic apo kandidat në garë, nëse lobojnë duke shkelur rëndë ligjin, edhe duke rrezikuar integritetin e lirisë së votës. Ky vullnet që ne shprehim do të jetë i pamëshirshëm për këdo që vepron ndryshe ndaj rregullit të shkruar".

E para që do të hapë fushatën elektorale do të jetë e djathta në pushtet e cila do të bëjë të shtunën prezantimin e kandidatëve të saj, ndërsa një ditë më pas, në të njëjtën sallë do të jetë opozita e majtë.//ii

XS
SM
MD
LG