Lidhje

Hebrejtë e Nju Jorkut nderojnë familjen nga Shqipëria

  • Ilir Ikonomi

Një familje nga Librazhdi i Shqipërisë e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtoi 26 hebrej u nderua në Nju Jork nga komuniteti hebraik i këtij qyteti. Anëtarë të familjes Biçaku kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë takim emocional i cili vuri në dukje disa nga vlerat më të mira të popullit shqiptar që u shpalosën në kushtet e atëhershme të varfërisë dhe të luftës. Takimi u organizua nga Lidhja kundër Diskriminimit, Fondacioni Hidden Child dhe shoqata shqiptaro-amerikane Motrat Qiriazi.

Familje si ajo e Mefail dhe Njazi Biçakut nga Librazhdi mund të krenohen për një vepër që hebrejtë nuk do ta harrojnë kurrë: Gjatë Luftës së Dytë Botërore ata shpëtuan 26 hebrej që fati i bëri të kalonin nëpër Shqipëri me shpresën se do t’u mbijetonin përndjekjeve naziste. Dhe mbijetuan.

Të mërkurën, pjestarë të familjes Biçaku ishin në Nju Jork për t’u nderuar me çmimin Guximi për t’u Kujdesur. Hebrejtë kanë një ndjeshmëri të natyrshme ndaj Luftës së Dytë Botërore. Gjashtë milion prej tyre u shfarosën gjatë Holokaustit nazist. Aq më tepër janë ata të ndjeshëm ndaj njerëzve që i ndihmuan të shpëtojnë nga përndjekjet e nazizmit. Dhe Shqipëria mund të krenohet si vendi ku asnjë hebre nuk ra në duart e nazistëve.

Mijra hebrej shkuan nga vende të tjera në Shqipëri për t’u shpëtuar ndjekjeve të nazistëve. Ata u fshehën nga shqiptarët pa dallim feje, nga myslimanët dhe të krishterët dhe Shqipëria u bë vendi i vetëm në Evropë që e shpëtoi të gjithë popullsinë hebraike.

Qemal Biçaku nuk kishte lindur në atë kohë, por në familjen e tij tregimet e shpëtimit të hebrejve nga i ati dhe i gjyshi janë diçka e paharruar. Ai thotë se prindët e tij kishin dhembsuri të madhe për jetën njerëzore dhe e vinin mbi gjithçka shpëtimin e saj. Ana Kohen, organizatorja kryesore e këtij takimi emocional, ka lindur pas luftës, nga prindër hebrej të cilët u detyruan të kalojnë nga Greqia në Shqipëri. Përvoja e të jetuarit mes dy kulturave i ka treguar se shqiptarët dhe hebrejtë kanë vlera të përbashkëta. Por ajo thotë se shumë njerëz nuk e dinë se shqiptarët kanë shpëtuar shumë hebrej gjatë luftës.

Ata nuk e dinë për shkak të politikave të izolimit që ndoqi qeveria komuniste shqiptare e pas luftës. Episodet e shpëtimit të hebrejve në Shqipëri filluan të dalin në dritë dalëngadalë pas hapjes së vendit dhe kur hebrejtë e Shqipërisë u larguan për në Izrael.

Vetë zonja Kohen erdhi në Amerikë 40 vjet më parë por nuk i harron ato që hoqën prindët e saj për t’u shpëtuar nazistëve duke ndërruar emrat dhe duke u fshehur në mal. Nuk harron vendlindjen e saj Vlorën. Ajo kujton sidomos një rrugicë të këtij qyteti të quajtur Rruga e Hebrejve.

Zonja Kohen, e cila në vitin 2006 u bë qytetare nderi e Vlorës përuroi një pllakë përkujtimore në këtë rrugë, të shkruar shqip dhe anglisht ku janë shkruar emrat e të gjithë hebrejve që kanë jetuar aty.

Historia e hebrejve të Shqipërisë është e lidhur ngushtë me njerëzit që i shpëtuan ata. “Kemi qenë të varfër, por shpirtin e kemi patur gjithnjë të pastër,” tha Muhamet Biçaku, i cili kishte ardhur nga Shqipëria, së bashku me njerëz të tjerë të familjes për të marrë pjesë në këtë ceremoni.//ii

XS
SM
MD
LG