Lidhje

Anketimet në Serbi: Formimi i një koalicioni të qëndrueshëm, i vështirë


Të dielën, serbët votojnë për zgjedhjet parlamentare. Zgjedhësit do të votojnë për kandidatët e 20 partive politike dhe koalicioneve të krijuara, për 250 vende të Parlamentit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood, i cili ndodhet në Beograd, njofton se ndërsa tre partitë kryesore pritet të sigurojnë shumicën e votave, formimi i një koalicioni të qëndrueshëm mund të jetë diçka e vështirë për t’u arrirë:

Anketimet tregojnë se Partia Radikale nacionaliste, Partia Demokratike, një parti pro-evropiane dhe Partia Demokratike e Serbisë, parti konservatore, do të fitojnë shumicën e votave. Por, asnjëra prej tyre nuk pritet të sigurojë më tepër se 30 për qind.

Kryeministri Vojisllav Koshtunica është kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë. Qeveria e tij e pakicës, ka tre vjet që është në pushtet, me mbështetjen e heshtur të radikalëve dhe socialistëve të opozitës.

Gjatë fushatës së tij, zoti Koshtunica ka refuzuar me vendosmëri që ta përjashtojë një koalicion të mundshëm me radikalët, për të cilët disa anketime tregojnë se do të sigurojë shumicën e votave. Radikalët, udhëheqësi i të cilëve ndodhet në Hagë, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës së Bosnjes, e kundërshtojnë bashkëpunimin e mëtejshëm me Gjykatën e Hagës për Krime Lufte.

Ashtu sikurse zoti Koshtunica, radikalët nuk e pranojnë zbehjen e pretendimit serb ndaj Kosovës. Demokratët e Presidentit Boris Tadiç, thonë se çështja e Kosovës mund të konsiderohet e humbur, që me largimin e trupave serbe prej andej, në vitin 1999, pas fushatës së bombardimeve të NATO-s, në përgjigje të krimeve të serbëve ndaj popullatës shqiptare.

Boris Begovic, i Qendrës së Studimeve Demokratike Liberale, në Beograd, thotë se nuk është e qartë në se nga zgjedhjet e së dielës do të dalë një qeveri e qëndrueshme.

"Ekziston një koncept për një qeveri të fortë e të qëndrueshme, e cila do ta qeveriste vendin gjatë tre-katër vjetëve të ardhshëm. Ose kemi edhe konceptin tjetër, për një qeveri kalimtare, për një afat të shkurtër kohor, ndoshta 6-mujor, e cila do të ketë si detyrë të trajtojë një çështje dhe kjo është statusi i ardhshëm i Kosovës."

Negociatorët e OKB-së kanë rreth një vit që po punojnë për përgatitjen e rekomandimeve për të ardhmen e Kosovës. Paraqitja e propozimit të tyre, që pritet të jetë një pavarësi e kufizuar, u vonua, me qëllim që të mos e mbizotëronte fushatën elektorale në Serbi. Propozimi i përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara pritet të paraqitet javët e ardhshme.

James Lyon, përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Beograd, thotë se në rastin e një rezultati të papërcaktuar qartë të zgjedhjeve, Partia Demokratike dhe Partia Demokratike e Serbisë kanë rënë dakord që zoti Koshtunica të vazhdojë të qëndrojë në postin e kryeministrit në detyrë:

"Në se vërtet ndodh kështu, atëhere Koshtunica do të përpiqet të formojë qeverinë. Por ekziston një mundësi që ai të mos jetë në gjendje të formojë qeverinë dhe pas një periudhe statutuore prej 90 deri 120 ditësh, të mos formohet asnjë qeveri dhe në një rast të tillë, do të duhet të mbahen zgjedhje të reja." - thotë ai.

Zoti Lyon thotë se Kryeministri dhe Presidenti duan të fitojnë kohë për të detyruar vonimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Rezultatet e para të zgjedhjeve priten të dielën mbrëma.//lk

XS
SM
MD
LG