Lidhje

Udhëheqësit e serbëve të Kosovës shpresojnë në fitoren e të moderuarve në zgjedhje


Udhëheqësit serbë në Kosovë shpresojnë se forcat demokratike do të jenë fituese në zgjedhjet parlamentare serbe dhe do të realizojnë në praktikë atë që kanë premtuar. Ata thonë se kjo është veçanërisht e rëndësishme po të kihet parasysh se këtë vit vendoset fati i Kosovës, statusi i saj.

Një nga udhëheqësit serbë, Rangjell Nojkiq, thotë se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Serbinë, por edhe për Kosovën dhe serbët që jetojnë në Kosovë.

"Para së gjithash për faktin se ky është viti në të cilin do të vendoset statusi i Kosovës, ose të paktën do të bëhen përgatitjet për atë status. Po kështu, është me rëndësi për faktin se do të përcaktohen shumë qartë të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve dhe normalisht edhe të serbëve”.

Zoti Nojkiq thotë se është me rëndësi që udhëheqësit serbë në Beograd të mbajnë premtimet e tyre.

“Prandaj është me rëndësi që në Beograd të ketë njerëz që janë të gatshëm jo vetëm të flasin por edhe të marrin përgjegjësinë dhe atë që e thonë edhe ta realizojnë. Unë shpresoj se forcat demokratike do të fitojnë dhe nëse kjo ndodh dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë, atëherë më lehtë do të bisedojmë për këto çështje”.

Zoti Nojkiq shpreson që edhe në Kosovë të të mbizotërojë e njëjta pikëpamje.

“Shpresoj se dhe këtu do të mbizotërojë kjo pikëpamje dhe forcat që duan të marrin përgjegjësinë të përfshihen në zgjidhjen e këtij problemi dhe nëse bëhet lidhja e këtyre forcave, atëherë qytetarët e Kosovës mund të jenë të kënaqur, të gjithë, edhe serbët edhe shqiptarët por edhe komunitetet e tjera”.

Në Kosovë, serbët kanë marrë pjesë në votimet për zgjedhjet parlamentare, duke votuar në qendrat e hapura në zonat ku përbëjnë shumicën. Ata presin që këto zgjedhje të ndikojnë në ndryshimin e gjendjes në Kosovë dhe mbështesin ata udhëheqës në Beograd që do të përpiqen ta mbajnë Kosovën nën Serbi me çdo kusht. //kk//

XS
SM
MD
LG