Lidhje

Kosovë: Përkujtohet një vit pas vdekjes ish-Presidenti Rugova


Ish-presidenti Ibrahim Rugova është shpallur sot hero i Kosovës në përvjetorin e vdekjes së tij. Ai vdiq më 21 janar të vitit të kaluar pas një sëmundjeje të rëndë. Që nga orët e mëngjesit në Prishtinë filluan veprimtaritë përkujtimore për nder të ish presidentit Rugova, i cili u cilësua si president historik i Kosovës dhe udhëheqës historik i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pasuesi i tij në postin e presidentit, Fatmir Sejdiu tha sot në një akademi përkujtimore se 21 janari i vitit të kaluar ishte goditje e rëndë për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Sot, kur jemi në prag të përmbylljes së statusit politik të Kosovës, proces ky që u udhëhoq në kohët më të vështira nga Presidenti Rugova, busull orientimi themeltar kemi idenë dhe përkushtimin e tij. Kjo ide dhe punë e palodhshme qe dhe mbetet përkushtim i veçantë për shtetin e pavarur të Kosovës, për kulturën politike të ndërtuar në frymën e tolerancës dhe kohezionit brenda shqiptar, të tolerancës e të mirëkuptimit me etnitë e tjera pakicë në Kosovë dhe për miqësitë e mëdha që krijoi në botën demokratike”, theksoi presidenti Sejdiu.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker tha se ish presidenti Rugova ishte forcë bashkuese për Kosovën. Që nga fillimi i rezistencës kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit ai besonte fuqishëm në lirinë dhe përparimin e Kosovës. Ai luajti një rol thelbësorë në krijimin e institucioneve që i ka sot Kosova dhe ruajtjen e bashkimit në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës…

“Derisa po hyjmë në periudhën përfundimtare të zgjidhjes së statusit, jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës është udhërrëfyese se si të veprojmë në këto kohë thelbësore”, tha zoti Ruecker, duke nënvizuar se trashëgimia e tij dëshmon se “me gjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtarë, e ardhmja krijohet këtu në Kosovë”.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu me urdhër të veçantë shpalli sot ish presidentin Rugova hero të Kosovës, ndërsa themeloi edhe medaljen e veçantë me emrin e tij për paqe, demokraci e humanizëm.

I doktoruar në fushën e letërsisë, dr. Ibrahim Rugova, ishte presidenti I parë I Kosovës dhe udhëheqësi 16 vjeçar I Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas vdekjes së tij vitin e kaluar pasuan ndryshime në strukturat e institucioneve të Kosovës, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar edhe në partinë e cila u nda në Kuvendin e gjashtë zgjedhor. Një pjesë e kësaj partie ka vendosur të themelojë një subjekt të ri politik me emrin Lidhja Demokratike. Që të dyja palët tashmë janë vënë në përpjekje të mëdha për të trashëguar emrin dhe veprën e ish presidentit Rugova.//kk//

XS
SM
MD
LG