Lidhje

Shqipëri: Partitë politike nisin fushatën për zgjedhjet vendore


Partitë kryesore politike, të shoqëruara nga aleatët e tyre më të vegjël, hapën sot dhe dje në Tiranë fushatat për zgjedhjet e pushtetit vendor të 18 shkurtit. Dy koalicionet e mëdha në pushtet dhe në opozitë kanë paraqitur kandidatë të përbashkët për drejtues të bashkive dhe komunave të vendit, pas negociatave të mbyllura me shpejtësi, për shkak të kohës së shkurtër të mbetur për të paraqitur dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Partia Socialiste çeli sot fushatën në të njëjtën sallë ku një natë më parë gjithçka ishte mbuluar nga flamujt blu të PD-së. Opozita u shfaq përsëri e bashkuar me ide dhe me kandidatë, midis të cilëve spikat kandidimi për një mandat të tretë të Edi Ramës, njëkohësisht kryetar i PS-së.

Zoti Rama shpalosi një platformë të gjatë me projekte për drejtimin dhe zhvillimin e kryeqytetit shqiptar duke dhënë premtime të reja për çdo shtresë të shoqërisë kryeqytetase. Ai kritikoi qeverinë Berisha për mungesë projektesh në zhvillimin e qyteteve si dhe zvarritje të decentralizimit të kompetencave për pushtetin vendor.

Ndërkaq Partia Demokratike hapi mbrëmjen e kaluar fushatën e saj zgjedhore në Pallatin e Kongreseve, duke dhënë vlerësimet më të larta për kandidatin e saj, Sokol Olldashi, deri dje deputet dhe ministër i brendshëm. Të gjithë aleatët e koalicionit qeveritar kanë dhënë mbështje maksimale për kandidaturën e tij, duke përgatitur një listë të përbashkët të kandidatëve të tyre.

Kandidati i shumicës për Bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashi tha se ai do t'i jepte fund korrupsionit në bashkinë e kryeqytetit, se kishte gati projekte zhvillimi në infrastrukturë, në ekonomi dhe në mjedisin e kryqytetit dhe se nuk do të ishte kryetar vetëm i bulevardit kryesor.

Fushata për zgjedhjet vendore filloi në kryeqytet këtë fundjavë, pas vonesave të shumta të reformës zgjedhore dhe negociatave të vështira plot mosbesim mes forcave politike mbi detaje të ndryshme të procesit zgjedhor. Presidenti Moisiu ka dekretuar 18 shkurtin si datë për zgjedhjet vendore, ndërsa këtë fundjavë zgjedhjet do të ishin kryer sipas dekretit tashmë të shfuqizuar të 20 janarit. //kk//

XS
SM
MD
LG