Lidhje

Presidentët dhe ndikimi i luftes tek mandatet e tyre


Fjalimi i përvitshëm i presidentit Bush drejtuar vendit, do të mbahet gjatë një seance të përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit ku aktualisht shumica e ligjvënësve kundërshtojnë thirrjen e tij për shtimin e numrit të trupave amerikane në Irak. Presidenti Bush pranon se plani i tij nuk gëzon popullaritet, por ai këmbëngul se presidentëve shpesh u duhet të ndërmarrin hapa të vështirë. Peter Fedinski, i Zërit të Amerikës, hedh një vështrim mbi presidentët amerikanë që kanë shërbyer në kohë lufte dhe ndikimin që kanë pasur veprimet ushtarake në figurën e Presidentit amerikan në histori:

Presidenti Bush nuk është i Presidenti i parë që përballet me një kundërshtim të ashpër politik për planet e tij të luftës. Presidenti Linkoln kundërshtohej edhe nga vetë anëtarët e partisë së tij pas zhvillimeve në vitet e para të luftës civile në Shtetet e Bashkuara. Vështirësitë e para gjatë Luftës së Dytë Botërore shkaktuan thirrje për izolacionizëm në kundërshtim të vendimit të presidentit Rusvelt për të luftuar agresionin nazist.

Profesori i historisë Alan Litman, nga Universiteti Amerikan, thotë se presidenti Bush kritikohet sot për të njëjtat arsye për të cilat kritikohej presidenti Lindon Xhonson gjatë Luftës së Vietnamit.

“Rritja e nurmit të trupave dhe vazhdimi i një lufte pa fund e cila nuk duket se ka objektiva të qarta. Presidenti Bush thotë se misioni në Irak është i qartë: krijimi i një demokracie në Lindjen e Mesme dhe mbrojtja e Amerikës nga terroristët." - thotë profesori.

Por sondazhet tregojnë se 70 përqind të amerikanëve të pyetur nuk e mbështesin mënyrën sesi administrate ka vepruar në Irak. Disa kritikë thonë se ai do të mbetet në histori si një nga presidentët më të dobët të Shteteve të Bashkuara. Por Xhorxh Bush, udhëheqësi i 43-të amerikan me sa duket nuk shqetësohet.

“Secili mundohet të shkruajë historinë e kësaj administrate përpara se ajo të ketë përfunduar. Unë ende lexoj mbi Xhorxh Uashingtonin. Qëndrimi im është se nëse ende analizohet presidenti i parë, unë nuk duhet të shqetësohem por duhet të bëj atë që është e drejtë.”

Historikisht suksesi ka ndryshuar mendimin për planet presidenciale që nuk gëzojnë popullaritet. Planet e luftës kundër Meksikës të presidentit Xhejms Polk, në vitin 1846, kundërshtoheshin nga pothuajse gjysma e popullsisë, por fitorja solli aneksimin e shteteve të tanishme të Kalifornisë, Arizonës dhe Nju Meksikos dhe gjithashtu miratimin e publikut.

Më shumë se një shekull më parë, presidenti Uilliam MeKinli, përfitoi nga lufta midis Spanjës dhe Amerikës, pasi fillimisht u kundërshtua se kishte filluar luftën mbi të dhëna të rreme. Por Stiven Hes, analist nga Instituti Brukings në Uashington, thotë se humbja mund të dëmtojë imazhin e një presidenti.

“Në qoftë se përballesh me një luftë të ngjashme me atë në Vietnam, është e vështirë të triumfosh. Presidentët që identifikohem me këto luftëra, si Lindon Xhonson dhe Riçard Nikson, duhet të mbajnë barrën si presidentë që kanë humbur një luftë.”-thote analisti.

Presidenti Bush hedh poshtë thirrjet për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe akuzon opozitën se ajo harron vendosmërinë e presidentit Franklin Rusvelt gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe të presidentit Harri Truman gjatë Luftës së Koresë. Të dy këta presidentë ishin demokratë:

“Demokratët nuk ofrojnë asgjë përveç kritikave dhe pengesave. Partia e Rusveltit dhe e Trumanit është shndërruar në një parti që bën thirrje për tërheqje pa përfunduar misionin” - thote ai.

Profesori Litman thekson se presidienti Truman u largua nga posti me një miratim nga publiku prej vetëm 23 përqind, në një kohë kur komunistët luftuan kundër Amerikës deri në një situatë pa rrugëdalje në Kore dhe përparuan deri diku edhe në vende të tjera. Presidenti Bush thotë se historia e shpagoi Presidentin Truman. Por profesori Litman thotë se zoti Bush bën një interpretim të gabuar.

“Politika e presidentit Truman për izolimin e perandorisë komuniste brenda kufijve, duke mos e provokuar dhe duke mos përdorur forcën ushtarake është e ndryshme nga politika e presidentit Bush në Irak, e cila përdor forcën ushtarake si për të përmbysur regjimin, ashtu edhe për rindërtimin e vendit” - thotë profesori.

Profesori Stivën Hes thotë se vlerësimi i publikut për ish-presidentët shpesh ndryshon kur dokumentat e tyre publikohen dhe dalin informacione që më parë kanë qenë sekrete për vendime të rëndësishme dhe shton se fitorja në Irak do të përmirësonte shpejt pozitën e presidentit Bush.//lk

XS
SM
MD
LG