Lidhje

Serbia pas zgjedhjeve  -  ç'mendojnë analistët


Edhe pse partia nacionaliste radikale fitoi më shumë vota se partitë e tjera në zgjedhjet e djeshme në Serbi, analistët në Beograd besojnë se këto votime do të çojnë në lidhje më të ngushta të Serbisë me Evropën perëndimore..

Zharko Korac, i cili u rizgjodh në parlament si kandidat i partisë së vogël Social Demokrate, thotë se do të ishte gabim që rezultatet e zgjedhjeve serbe të shikoheshin si hap prapa për reformat. Ai thotë se me këto zgjedhje, Serbia do t’i afrohet Evropës. Zoti Korac shton se radikalët, që fituan 29 përqind të votave dhe janë kundër lidhjeve të ngushta me Evropën, nuk do të përfshihen në një koalicion të ardhshëm, dhe se demokratët e vërtetë, siç e quan ai partinë e presidentit Boris Tadiç dhe bllokun e tij demokratik, janë forcuar.

Goran Svilanoviç, ish ministër i jashtëm në periudhën e bashkimit Serbi-Mal i Zi, është dakord me këtë mendim. Zoti Svilanoviç, i cili tani punon për Paktin e Stabilitetit në Ballkan, organizatë me qendër në Vjenë, thotë se më shumë njerëz votuan për partitë demokratike sesa për radikalët dhe socialistët e ish udhëheqësit Sllobodan Millosheviç. Zoti Svilanoviç mendon se kryeministri Vojisllav Koshtunica ndodhet në pozita të forta për të formuar një qeveri të re edhe pse partia e tij Demokratike e Serbisë fitoi më pak vota sesa partia demokratike pro evropiane e presidentit TadiçTadiç.

“Mendoj se Koshtunica është në pozita të mira. Por kjo nuk do të thotë se ai medoemos do të jetë kryeministër, megjithëse në se do edhe mund të bëhet”.

Zoti Svilanoviç shpreh besim se një qeveri e re do të formohet, por bisedimet për formimin e saj mund të zgjaten deri më një mars. Lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, zoti Svilanoviç parashikon pak ndryshim në politikën serbe, ndërsa Beogradi përpiqet të ruajë pozitën e vet sa më shumë që mundet, por jo deri në konfrontim.

“Beogradi mund të mos mirëpresë çdo deklaratë që vjen nga Uashingtoni ose nga vende të Grupi i Kontaktit. Por besoj se do të bëhej pjesë e procesit të përbashkët me Prishtinën dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian e Rusinë. Këtë kam në mendje kur them se Beogradi do të ndjekë një politikë konstruktive mospajtimi”.

Kosova administrohet nga Kombet e Bashkuara që prej vitit 1999, kur Natoja nëpërmjet bombardimeve i detyroi trupat serbe të tërhiqen.

Ish presidenti Marti Ahtisari, i cili është i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, mund ta shpallë këtë javë planin e tij mbi të ardhmen e Kosovës, ku shqiptarët që përbëjnë 90 përqind të popullsisë kërkojnë pavarësinë, një zgjidhje që Serbia nuk e pranon./al/

XS
SM
MD
LG