Lidhje

46 milionë amerikanë nuk kanë sigurim shëndetësor


Zyra amerikane e statistikave tregon se të paktën 46 milionë amerikanë janë të mbuluar pak ose aspak nga siguracionet shëndetësore. Një studim i kohëve të fundit tregon se, nëse kjo prirje vazhdon, edhe më shumë amerikanë mund të gjenden në një situatë të tillë. Ligjvënës, mjekë dhe qytetarë po kërkojnë për një zgjidhje:

“Sistemi ynë i sigurimeve shëndetësore është i shkatërruar. Sistemi i shërbimit mjekësor është tepër i mirë

Doktor Arthur Garson është dekan i fakultetit mjekësor në Universitetin e Virginias. Ai ndihmoi në hartimin e projekt-ligjit që po shqytrohet në kongresin amerikan për reformimin e sigurimeve shëndetësore.

Një studim i ri tregon se kostoja e shërbimit shëndetësor në Amerikë po bën që gjithnjë e më shumë amerikanë, ose të shtyjnë shërbimet mjekësore, ose të mos shkojnë fare tek mjeku.

Jessica Banthin dhe studiues të tjerë të qeverisë zhvilluan një studim që u botua kohët e fundit në organin e Shoqatës Mjekësore Amerikane. Studimi del në përfundimin se numri i atyre që nuk janë në gjendje të përballojnë shpenzimet për shërbimet që kanë nevojë, ka shkuar në rreth 12 milionë në 7 vjet.

“Studimi ynë tregon se të sëmuresh në Amerikë, mund të bëhesh një barrë serioze në buxhetin familjar”- thotë studjuesja.

Studimi tregon se kujdesin shëndetësor nuk mund ta përballojnë, jo vetëm të varfërit, por edhe familje me të ardhura të ulëta e të mesme. Më të rrezikuarit janë ata që vuajnë nga sëmundje serioze kronike, si diabeti. Gjithashtu pa sigurime shëndetësore mund të jenë të vetëpunësuarit, meqenëse në Amerikë, siguracioni shëndetësor shpesh ofrohet nga punëdhënësi.

Studiuesit e konsiderojnë koston barrë për buxhetin, nëse 10 për qind a më shumë e të ardhura të familjes shkojnë për kujdes shëndetësor. Ata zbuluan se 18 milionë amerikanë shpenzuan më shumë se 20 për qind të të ardhurave familjare për kujdesin shënetësor në vitin 2003, viti i fundit i përfshirë në studim. Doktor Luis Padilla thotë se disa njerëz i shmangin vizitat tek mjeku për shkak të kostos derisa është tepër vonë.

“Zbuluam se kjo kategori të sëmurësh është prekur nga kanceri apo sëmundje të tjera kronike që mund të ishin kuruar më lehtë po të ishin kontrolluar më herët tek mjeku”- thotë mjeku.

Doktor Garson thotë se amerikanët në pjesët më të varfëra të vendit kanë jetëgjatësi më të ulët se në disa vende në zhvillim.

“Jetëgjatësia mesatare e meshkujve në Harlem të qytetit të New Yorkut është më e vogël se në Bangladesh”

Doktor Garson thotë se çështjet sociale janë shkak themelor i problemit.

“Jetë-gjatësia mesatare ka të bëjë me varfërinë, ka të bëjë me mbulimin e kujdesit shëndetësor”,- thotë ai.

Grupe qytetarësh, pjesëtarë të Kongresit dhe mjekë po shqyrtojnë rrugët për ta bërë kujdesin shëndetësor më të përballueshëm për të gjithë amerikanët. Doktor Garson thotë se derisa të bëhet diçka për t’i ndihmuar amerikanët, një numër gjithnjë e më i madh do të kenë sigurime të kufizuara ose nuk do të kenë asnjë sigurim shëndetësor.//lk

XS
SM
MD
LG