Lidhje

Fjalimi i përvitshëm i Presidentit është kthyer në një traditë historike


Presidenti Bush mban sot fjalimin e përvitshëm për gjendjen e vendit para të dyja dhomave të Kongresi, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kabinetit të tij, zyrtarëve të tjerë të lartë dhe popullit amerikan. Fjalimi i presidentit është bërë tashmë një traditë politike, e cila e ka origjinën tek formimi i republikës amerikane.

Fjalimi i Presidentit Bush para dy Dhomave të Kongresit është vazhdimi i një tradite të gjatë komunikimi mes ekzekutivit dhe legjislativit.

Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, një president amerikan duhet të informojë kongresin për gjendjen e vendit, planet e tij për politikat dhe për të gjitha çështjet e tjera që ai i konsideron të nevojshme dhe të arsyeshme. Kushtetuta nuk jep ndonjë udhëzim tjetër, por mesazhi presidencial që tani quhet fjalimi për gjendjen e vendit është kthyer në një ritual të përvitshëm politik.

Tradita filloi me presidentin e parë George Washington që i mbante fjalimet e tij të përvitshme personalisht. Megjithatë, në kohën e Presidentit të Tretë Thomas Jefferson mbajtja e fjalimit personalisht nuk praktikohej më. Profesori i Universitetit Amerikan Allan Lichtman shpjegon se Jeffersoni kishte përshtypjen se dalja para Kongresit e bënte Presidentin të dukej si monark.

“Kështu në vitin 1801, Jeffersoni vendosi që të mos dilte personalisht para Kongresit, por të shpërndante një mesazh të përvitshëm me shkrim. Kështu ndryshoi kjo praktikë. Që në kohën e Jeffersonit, presidentët vazhduan të dërgonin mesazhe të përvitshme me shkrim derisa doli në skenë një udhëheqës tjetër i madh politik”.

Presidenti Wilson doli para Kongresit në vitin 1913 për të paraqitur propozimin e tij për përmirësimin e ekonomisë. Presidenti tjetër që e mbajti fjalimin personalisht ishte Franklin D. Roosevelt. Fjalimi i tij u transmetua për herë të parë në radio.

Stephen Wayne është ekspert presidencial në Universitetin Georgetown në Washington.

“Fjalimi për gjendjen e vendit është kthyer një instrument për Presidentin që të përcaktojë programin për Kongresin dhe të flasë para popullit amerikan për arritjet dhe shpresat për të ardhmen. Është pjesë e traditës sonë politike. Mbajtja e fjalimit ka një aspekt shumë ceremonial dhe zakonisht ia ngre pikët presidentit”.

Abraham Linkolni e përdori në fakt mesazhin e tij në vitin 1862 për të ndërmarrë sulmin e parë ndaj skllavërisë, duke thënë se po të mos kishte pasur skllavëri, Lufta Civile nuk do të kishte ndodhur. Franklin Roosevelti paraqiti kartën e të drejtave ekonomike në një nga fjalimet e tij. Harry Truman paraqiti para Kongresit programin e tij të quajtur “kontrata e drejtë”. Ndërsa Lyndon Johnson propozoi në vitet 1960 ligje të reja për të drejtat civile dhe përpjekje për të çrrënjosur varfërinë.

“Kjo administratë i deklaron sot, këtu dhe tani luftë të pakushtëzuar varfërisë në Amerikë”.

Këtë vit Presidenti Bush do të përpiqet t’i japë një shtysë programit të tij për mandatin e dytë, pas një viti të vështirë ku votuesit ua hoqën pushtetin republikanëve dhe sollën në fuqi demokratët në dy dhomat e Kongresit. Ekspertët nga të dyja palët thonë se zgjedhjet e nëntorit ishin një referendum për politikat e presidentit Bush në Irak. //kk//

XS
SM
MD
LG