Lidhje

Di Karlo: Shtyrja e vendimit për statusin e Kosovës, pengesë për rajonin

  • Intervistoi Draker

Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Rozmeri Di Karlo thotë se shtyrja e vendimit për statusin e Kosovës do të ishte me të vërtetë një pengesë për mbarë rajonin, për qytetarët e Kosovës, për Serbinë dhe gjithashtu për fqinjët. Ka ardhur koha për qartësi dhe përparim, tha ajo në një intervistë me kolegen Maja Draker, shefe e shërbimit të Serbishtes.

Procesi i formimit të një qeverie në Serbi do të marrë pak kohë sepse asnjëra nga partitë nuk arriti të siguronte numrin e nevojshëm të votave dhe Beogradi mund të përballet me propozimin për statusin përfundimitar të Kosovës përpara formimit të qeverisë.

Zonja Di Karlo u shpreh se Departamenti Amerikan i Shtetit i kishte vlerësuar zgjedhjet në Serbi si të suksesshme, demokratike dhe të drejta. Ajo tha se tani varet nga udhëheqësit serbë të formojnë një qeveri e cila të mishërojë dëshirat e votuesve. Qeveria, tha zonja Di Karlo, duhet të formohet shpejt dhe jo për shkak të çështjes së Kosovës, por për të ndihmuar reformat dhe proceset e integrimit të vendit në institucionet euro-atlantike.

Zonja Di Karlo tha se Shtetet e Bashkuara e mbështetin plotësisht punën e zotit Ahtisari, i cili pritet të propozojë një formë pavarësie për Kosovën. Zonja Di Karlo u bëri thirrje palëve të bashkëpunojnë me zotin Ahtisari.

“Është e rëndësishme që palët të angazhohen me zotin Ahtisari për konsultime intensive në javët që do të pasojnë”.

Tani tha ajo, po hyjmë në fazën përfundimtare të procesit për vendosjen e statusit të Kosovës dhe ne mbështetim zotin Ahtisari dhe afatet që ai i cilëson të përshtatshme.

Por Boegradi është shprehur kundër çdo forme pavarësie për Kosovën dhe mund të mos e pranojë planin e zotit Ahtisari. Zonja Di Karlo thotë se ka ardhur koha që procesi të mos shtyhet më, sepse një gjë e tillë nuk i shërben askujt.

“Ne kemi hyrë në fazën e fundit të zbatimit të rezotutës 1244 dhe palët kanë shprehur tashmë pikëpamjet e tyre mbi një numër problemesh. Nuk duhet të harrojmë se palët kanë rënë dakord mbi një numër çështjesh që janë qenësore, për një Kosovë të qëndrueshme, për serbët e Kosovës dhe për pakicat që banojnë atje. Ato duhet të zbatohen dhe sa më shpejt”.

Zonja Di Karlo shtoi se duhet të thellohen bisedimet mbi këto çështje kyçe dhe pa dyshim do të diskutohet statusi përfundimtar i Kosovës. Ne tha ajo dëshirojmë që palët të arrijnë një marrëveshje së shpejti. E rëndësishme është të ruhet stabiliteti si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon. Shtyrja e vendimit për statusin e Kosovës është me të vërtetë një pengesë për mbarë rajonin, për qytetarët e Kosovës, për Serbinë dhe gjithashtu për fqinjët. Ka ardhur koha, tha zonja Di Karlo për qartësi dhe përparim. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian dëshirojnë që të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të anëtarësohen dhe kjo duhet të bëhet realitet.

Zonja Di Karlo thotë se Ballkani është i ndërlidhur dhe për këtë lidhjet midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë, të ngjashme me mardhëniet midis Serbisë dhe vendeve të tjera fqinje. Por ajo shton se është e rëndësishme që manastiret dhe kishat ortodokse të ruhen jo vetëm si monumente, por si aspekte të gjalla të kulturës shoqërore. Duhet të ruhen lidhjet midis kishave ortodokse brenda Kosovës dhe kishës ortodokse në Serbi.

Ndërkohë Rusia është shprehur se mund të përdorë veton nëse nuk do të ishte e kënaqur me propozimin e zotit Ahtisari. Por zonja Di Karlo thotë se Rusia ka bashkëpunuar në mënyrë konstruktive gjatë gjithë procesit dhe la të kuptohet se nuk pritet që ta pengojë atë tani:

“Rusia ka qenë pjesëmarrëse konstruktive në grupin e punës për Kosovën. Ne takohemi shpesh me anëtarët rusë të grupit dhe e kuptojmë se Rusia është një vend me kulturë ortodokse, por parashikojmë që Rusia do të vazhdojë qëndrimin konstruktuv për t’i dhënë fund procesit”.

Zonja Di Karlo tha se nëse Serbia nuk pranon teorinë e pakicave ne duhet t’i përgjigjemi me garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët. Nëse ke të drejta dhe mundësi, nëse tolerohen të gjitha kulturat dhe fetë në një shoqëri, atëherë askush nuk ndjehet pakicë.

Së fundi zonja Di Karlo tha se zyrtarët amerikanë, përfshirë sekretaren e shtetit Kondoliza Rajs, kanë folur mbi këtë çështje. Shtetet e Bashkuara kanë patur marrëdhënie të mira me Serbinë dhe kërkojnë të vazhdojnë traditën e mëparëshme dhe duan që edhe ajo të bëjë pjesë në strukturat euro-atlantike.

XS
SM
MD
LG