Lidhje

Intervistë me përfaqësuesin e UNMIK-ut për ndërmarrjet publike.


Zëri i Amerikës: A do ta konsideronit sukses, mbikqyrjen, drejtimin apo kontrollin e tyre, po të kihet parasysh se shumica e këtyre kompanive kanë qenë një shqetësim i madh publik në Kosovë, si për shembull kompania elektro-energjitike.?

Xhejms Uaserstrom: KEK-u është një problem jashtëzakonisht i vështirë. E kuptoj zemërimin e njerëzve, jetoj këtu që prej 4 vjetësh; vuaj nga kufizimet në furnizimin me energji si gjithë të tjerët, është një pengesë shumë e madhe për zhvillimin ekonomik. Por mendoj se ka mënyra sesi mund të përmirësohet KEK-u, mënyra që vlejnë edhe për kompanitë e tjera publike, PTK-ja, Aeroporti, Hekurudhat, Ujësjellësi, Pastrimi. Ka mënyra dhe shpresoj se do të zbatohen në muajt që vijnë, para ose pas statusit.

Zëri i Amerikës: Ju theksuat se këto kompani drejtohen nga bordet e drejtorëve. Kujt i përgjigjen këto borde, kush i kontrollon ato.?

Xhejms Uaserstrom: Autoriteti më i lartë është agjensia kosovare e mirëbesimit, e cila është e ndarë gjysëm për gjysëm midis vendorëve dhe ndërkombëtarëve. Kjo natyrisht do të ndryshojë. Agjensia kosovare e mirëbesimit do të shkojë dhe çështja është kush do t'i menaxhojë kompanitë publike.

Zëri i Amerikës: Dhe kush do ta bëjë këtë?

Xhejms Uaserstrom: Ideale do të ishte që këtë ta bëjë populli i Kosovës përmes parlamentit. Kjo mund të bëhet përmes një kompanie që duhet të krijohet nga parlamenti, e cila pastaj duhet të emërojë bordin e drejtorëve për kompanitë publike që duhet të emërojë pastaj menaxherët e këtyre kompanive. Duhet të jetë parlamenti i Kosovës ai që duhet ta bëjë këtë. Unë nuk shoh ndonjë rol të misionit të ri ndërkombëtar në këtë gjë. Kjo është diçka që duhet të transferohet tek populli i Kosovës që është pronari i tyre. Parlamenti do të duhej të nxirrte një rregullore apo një ligj për krijimin e një kompanie që do të përmblidhte ndërmarrjet publike, të emëronte individët në kompani. Por këta individë duhet të zgjidhen nga një agjensi e jashtme, e pavarur, në mënyrë që të sillen njerëz të talentuar, nga Kosova apo diku tjetër. Le të mendojmë se shumica do të jenë nga Kosova apo që do të ketë një përbërje te fuqishme nga Kosova. Ky process niset nga parlamenti i Kosovës për kompaninë në fjalë, pastaj nga kjo për bordet e drejtorëve të kompanive publike dhe nga bordet e drejtorëve për menaxherët e këtyre kompanive.

XS
SM
MD
LG