Lidhje

Ekspertët analizojnë sfidat e propozimit të statusit të Kosovës


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara u parashtroi përfaqësuesve të vendeve të Grupit të Kontaktit propozimin e tij për statusin përfundimtar të Kosovës. Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua dje në Vjenë. Natoja shprehu mbështetje të plotë për planin i cili do t’i paraqitet Prishtinës dhe Beogradit javën e ardhshme.

Disa raunde bisedimesh ndërmjet përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë u zhvilluan në Vjenë gjatë vitit të kaluar.

Siç u bë e qartë, bisedimet nuk po çonin drejt një marrëveshjeje dhe zotit Ahtisari iu kërkuar të jepte rekomandimet e tij për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Edward Joseph, pedagog në Universitetin Johns Hopkins thotë se serbët dhe shqiptarët kurrë nuk do të bien dakord mbi një status përfundimtar për Kosovën.

“Një marrëveshje me Beogradin është e pamundur. Serbët nuk do të pranojnë asgjë në shkëmbim për të hequr dorë nga Kosova dhe shqiptarët nuk do të pranojnë asgjë më pak se pavarësia”.

Zoti Joseph thotë se në mungesë të marrëveshjes, zgjidhja mund të imponohet nga një palë e tretë:

“Ka ardhur koha për ta mbyllur këtë kapitull. Grupi i Kontaktit duhet të tregojë kurajo dhe vizion dhe të mos e vonojë më zgjidhjen”.

Ish-Presidenti finlandez Martti Ahtisaari do t’i paraqesë së shpejti planin e tij Këshillit të Sigurimit. Rusia ka dhënë sinjale se mund t’i vërë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit, nëse plani i zotit Ahtisaari nuk është i pranueshëm për Beogradin.

Por zoti Joseph thotë se nuk është e nevojshme që propozimi i zotit Ahtisaari të miratohet nga i gjithë Këshilli i Sigurimit.

“Rekomandimet mund të miratohen ose jo nga Këshilli i Sigurimit. Ato mund t’u lihen në dorë vendeve individuale për t’i miratuar në baza dypalëshe”.

Marrëveshje të tilla do t’i hapnin rrugën vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe të vendeve të veçanta me Kosovën.

Gjenerali amerikan në pension William Nash drejtonte administratën civile në Kosovën veriore në vitin 2000. Ai thotë se që zgjidhja e statusit të jetë e suksesshme ajo duhet të jetë politike.

“Në Kosovë ka një prani të fuqishme ushtarake. Por ushtria nuk është mjeti për të realizuar një zgjidhje politike dhe për të sjellë zhvillim ekonomik dhe social për Kosovën”.

Gjenerali Nash thotë se stabilizimi i Kosovës do të jetë një proces i gjatë. Në fund të 1995 Gjenerali komandonte 25 mijë trupa në Bosnje, të dislokuara për të vënë në zbatim Marrëveshjet e Paqes të Dejtonit.

Ambasadori Ahtisaari tha këtë javë se do të rekomandonte vazhdimin e një pranie ndërkombëtare, si civile ashtu edhe ushtarake në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të vazhdojnë angazhimin në Kosovë. Uashingtoni ka bërë vazhdimisht thirrje për një Kosovë shumë-etnike, ku të respektohen të drejtat e pakicave.

Në një konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm të Natos dje në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap de Hoop Shefer shprehu mbështetjen e plotë të Aleancës për propozimin e zotit Ahtisaari. //kk//

XS
SM
MD
LG