Lidhje

Uashington: Mijëra vetë protestojnë kundër luftës në Irak


Aktivistet e Hollywood-it, Jane Fonda dhe Susan Sarandon, si dhe i përndershmi Jesse Jackson, ishin të shtunën mes njerëzve të njohur në manifestimin e protestës.

Grupi që e organizoi atë, “Të bashkuar për Paqe dhe Drejtësi”, tha se shkaku i këtij tubimi ishte thirrja e Presidentit Bush në fillim të muajit për dërgimin e 21 mijë trupave-shtesë në Irak.

Grupi tha se nëpërmjet faqes së tij të internetit, ai ka marrë më shumë se pesë milionë mesazhe mesazhe mbështetjeje këtë muaj, duke përfshirë edhe 650 mijë të mërkurën, kur organizatorët mbajtën një konferencë shtypi, në të cilën njoftuan për takimin e së djelës.

Qielli ishte i hapur, por temperatuar ishin të ulta, ndërkohë që mijëra njerëz ishin mbledhur për të marrë pjesë në manifestim. Shumë nga tregtarët thanë se kishin ardhur për arsye personale.

Juan Torres nga Çikago kishte veshur një bluzë për të kujtuar djalin e tij, i cili u vra në Afganistan në vitin 2004. Torres, një imigrant nga Argjentina, ka qënë pjesëmarrës në shumë protesta kundër luftës. Ai tha se lufta i ka shkatëruar jetën dhe familjen. “Jeta ime është shkatërruar. Familja ime është shkatërruar. Presidenti nuk shqetësohet për familjen time. Ata nuk bëhen merak as për mua dhe as për familjen time, ata nuk bëhen merak për hiç njeri. Edhe medaljen e tim biri e mora me postë. Ata nuk kanë respekt për mua. Ndoshta nga që unë jam spanjoll....Nuk di çfarë të them”.

Bob Watada është i jati i një oficeri të ushtritë që pret të dalë para gjykatës ushtarake, sepse ka refuzuar të shkojë në Irak. Ai iu drejtua të pranishëmve me këto fjalë: “Djali im, oficeri Ehren Watada, si ushtar amerikan patriot dhe krenar, ka patur guximin të thotë “Mjaft më!”. Edhe ne duhet të themi me një zë: “mjaft më”. Sepse ai refuzoi të drejtonte forcat për të masakruar njerëzit e pafajshëm, sepse ai refuzoi t’i udhëhiqte ata drejt vdekjes për interesin e pangopur të korporatave, komandantët e ushtrisë duan ta ndëshkojnë”.

Watada tha se djali i tij po ndëshkohet, sepse tha të vërtetën për luftën. "Oficeri Watada ngriti zërin dhe tha se Presidenti na ka mashtruar. Në Irak po kryhen akte mizore. Dhe kjo është e vërteta”.

Më pas, aktorja dhe aktivistja, Jane Fonda, e mirënjohur për aktivitetin e saj kundër luftës së Vietnamit, mori pjesë për herë të parë pas disa dekadash në manifestimin të protestës të shtunën. “Unë nuk kam folur në demonstrata kundër luftës për 34 vjet, sepse kam patur frikë se gjënjeshtrat e sajuara kundër meje do të përdoreshin për të dëmtuar lëvizjen kundër luftës. Por heshtja ime nuk mund të zgjatë më”.

Ajo falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, duke thënë se angazhimi i tyre për t’i dhënë fund luftës, u krijon mundësi njerëzve në rajone të tjera të botës të shpresojnë se Amerikan mund të bëhet një vend që ata mund ta duan dhe respektojnë.

Në manifestim folën edhe të tjerë njerëz të famshëm, të mirënjohur, duke përfshirë aktorin, Sean Penn. Turma thërriste, luhej muzikë, dhe pas manifestimit të protestës, demonstruesit marshuan në rrugët pranë Kapitolit, duke mbajtur në duar parrulla me thirrje të ndryshme nga ato për t’i dhënë fund luftës deri tek ato për shkarkimin e Presidentit.

Por jo të gjithë ata që morrën pjesë në manifestim ishin me të vërtetë protestues. Për Amber Cilley nga Masaçusets, ky ishte manifestimi i parë kundër luftës. Ajo gati sa nuk shpërtheu në lot kur shpjegoi arsyen e pjesëmarrjes së saj në të. “Unë kam dy djem dhe xhaxhai im u vra në Vietnam. Fakti që ne vazhdojmë të hyjmë gjithnjë në luftë dhe përsërisim të njëjtin gabim është tepër indinjues.... Ushtarët amerikanë duhet të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Një numër i vogël njerëzish bënë një anti-protesë, duke mbajtur në duar parrulla dhe duke u bërtitur protestuesve. Një prej tyre mbante një parrullë në të cilën thuhej: “Ne i dhamë paqes shansin dhe si shpërblim morrëm 11 shtatorin”. //az//

XS
SM
MD
LG