Lidhje

Larmia e kandidatëve e bën të veçantë garën presidenciale të 2008-ës


Anketat tregojnë se mbështetjen më të madhe mes kandidatëve demokratë për president e kanë një grua: Senatorja Hillary Clinton dhe një afrikano-amerikan: Senator Barack Obama. Vëzhguesit thonë se Guvernatori i New Mexicos, me origjinë hispanike Bill Richardson mund të jetë gjithashtu një kandidat i fortë.

Para 20 vjetësh, Ellen Malcolm krijoi një rrjet politik në Washington të quajtur Lista e Emilisë për të mbledhur fonde për gratë kandidate demokrate. Ajo thotë se në atë kohë, askush nuk i merrte gratë seriozisht në politikë.

“Në kohën kur nuk kishte shumë gra të zgjedhura, votuesit ishin të pasigurt për një grua kandidate. Ata ishin si të hutuar: Nuk kishin pika referimi. Si do të ishte një grua që kandidon për senatore, si do të dukej? Dhe meqë nuk ishin mësuar me këtë ide, krijonin stereotipe gjinore”.

Zonja Malcolm thotë se që atëherë votuesit janë mësuar me idenë e zgjedhjes së një gruaje. Lista e Emilisë për herë të parë po i jep mbështetjen një gruaje për postin e presidentit: senatores Hillary Clinton. Sipas anketave, ajo është në krye të kandidatëve demokratë për president. Kur hyri në garë ajo tha se synimi i saj ishte të fitonte.

Mes kandidatëve me shanse për emërimin është edhe senatori demokrat afrikan-amerikan Barack Obama dhe një hispanik: Guvernatori i New Mexicos Bill Richardson.

“Reputacioni ynë në botë ka rënë, ekonomia është dobësuar dhe aspekti civil dhe i dinjitetit në qeveri është zhdukur”, tha ai kur shpalli kandidaturën.

Të tre këta udhëheqës politikë janë kandidatë legjitimë për president. Scott Keeter kryen sondazhe për Qendrën Studimore Pew në Washington.

“Është vërtet një pasqyrim i rritjes së larmisë së shoqërisë sonë. Me rritjen e jashtëzakonshme të imigracionit në Shtetet e Bashkuara dhe larmisë së popullsisë, veçanërisht mes të rinjve, njerëzit janë mësuar gjithnjë e më shumë me ata që janë ndryshe. Një prirje e tillë është futur edhe në politikë”.

Zoti Keeter thotë se shumë amerikanë janë tani në gjendje të shikojnë përtej gjinisë, apo racës së kandidatëve kur vlerësojnë aftësitë e tyre dhe zotësinë për të udhëhequr.

Me të njëjtën logjikë, vëshguesit thonë se kandidatët nuk do të jenë në gjendje të fitojnë në zgjedhje duke tërhequr vetëm votuesit e pakicave.

Kur bëhet fjalë për popullsinë hispanike, pakica që po rritet më shpejt në Shtetet e Bashkuara, Stephen Hess, ekspert për zgjedhjet në institutin Brookings në Washington thotë se kjo prirje nuk i shton automatikisht shanset e zotit Richardson për emërimin e Partisë Demokrate.//kk//

“Ndryshe nga disa komunitete të tjera, që i kanë pak a shumë të përcaktuara prirjet politike, siç janë afrikano-amerikanët që në masë dërrmuese e identifikojnë veten me demokratët, komuniteti hispanik mund të shkojë nga të dyja anët”.

Zoti Hess thotë se po ashtu nuk ka shenja se Senatori Obama do të fitonte votat e afrikan-amerikanëve më shumë sesa zonja Clinton. Sondazhet tregojnë se ajo është figurë popullore mes komuniteteve të zezakëve.

“Barack Obama nuk in hodhi hapat e karrierës si udhëheqës afrikano-amerikan, si për shembull Jesse Jackson, apo Al Sharpton. Ngritja e tyre është shoqëruar nga lidhje të forta me racën, pasi ata i kanë lënë gjurmët e tyre si udhëheqës të komunitetit të tyre duke bërë kërkesa ndaj pjesës tjetër të shoqërisë si pakicë. Ai nuk e ka ndjekur fare këtë rrugë”.

Zoti Hess thotë se senatori Obama është forcuar politikisht si çdo politikan tjetër, duke përfaqësuar shtetin e tij pavarësisht nga ngjyra e zgjedhësve të tij.

XS
SM
MD
LG