Lidhje

Të rinjtë e dalë nga konfliktet e armatosura dhe roli i tyre drejt paqes


Instituti Amerikan i Paqes në bashkëpunim me Grupin Ndërkombëtar të Krizave zhvilloi javën e kaluar një diskutim mbi rolin e të rinjve, të mbijetuar të konflikteve të armatosura, në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes. Disa prej çështjeve që u diskutuan ishin: roli i të rinjve në parandalimin e konflikteve ndërkombëtare, ç’programe ekzistojnë për të angazhuar këta të rinj në fushën e arritjes dhe ndërtimit të paqes.

Nën-presidenti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Donald Stajnbërg, i bëri një pasqyrë të zymtë gjendjes së fëmijëve të prekur nga konfliktet e armatosura. Ai tha se ndërsa problemi i fëmijëve dhe konflikteve të armatosura mund të trajtohet nëpërmjet paraqitjes së statistikave, një mënyrë tjetër është të mbahen mënd fytyrat e këtyre fëmijëve.

Donald Stajnbërg, i cili ka qënë ambasador në Angolë gjatë administratës së presidentit Klinton dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin Amerikan të Paqes, thotë se aktualisht Grupi Ndërkombëtar i Krizave po punon për rreth 50 konflikte nëpër botë, duke u përqëndruar zakonisht në çështje të rëndësishme si reforma në sektorin e sigurimit, drejtësia në periudhat kalimtare dhe hartimi i kushtetutave.

“Por gjithnjë e më shumë ne po arrijmë në përfundimin se të gjitha përpjekjet për rindërtimin e shoqërive varren në një pjesë të madhe tek përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve të fëmijëve. Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me çështje të drejtësisë apo ato humanitare. Këmbëngulja në mbajtjen e përgjegjësisë për krimet e kryera kundër fëmijëve gjatë konflikteve të armatosura është shumë e rëndësishme për rindërtimin e shoqërive në periudhën pas konflikteve.”

Zoti Stajnbërg përmendi tre mënyra për të ndihmuar këta fëmijë: Shtetet e Bashkuara, tha ai, duhet të ratifikojnë konventën e OKB-së mbi të drejtën e fëmijës. Duhet të përmirësohen programe të ndryshme për të ndihmuar fëmijët në mbarë botën dhe të shtohet përkrahja për veprimtaritë e Kombeve të Bashkuara në mbështetje të fëmijëve.

Ylli Bajraktari, punonjës i Institutit Amerikan të Paqes dhe themelues i organizatës së të rinjve në Kosovë, Forumi, thotë se i nisur nga përvoja e tij, fëmijët janë ata që vuajnë më shumë nga konfliktet e armatosura, prandaj edhe shoqëria u detyrohet atyre që të bëhen të gjitha përpjekjet për kthimin e jetës normale.

“Kur krijuam organizatën Forumi ne menduam rreth fushave në të cilat mund të përqëndronim energjitë tona. Së pari përgjegjshmëria politike. Ne zhvilluam takime mes të rinjve dhe politikanëve, për t’i vënë këta të fundit përpara përgjegjësisë. Një aspekt tjetër në të cilin i përqëndruam projektet tona ishte dialogu mes grupeve të ndryshme etnike, megjithëse ky dialog fillimisht ishte i vështirë, por me ndihmën e organizave ndërkombëtare, rezultatet kanë qënë pozitive.”

Zlata Filipoviç nga Sarajeva është bashkë-redaktore e librit: Zëra të Humbur, ku është përfshirë edhe ditari i saj, të cilin e shkroi në periudhën 1991-1993 në vitet e fëmijërisë kur vendlindja e saj u përfshi nga konflikti.

“Në prill të vitit 1992, ditari im, në të cilin shkruaja rreth jetës time të mrekullueshme si fëmijë, u përmbys, e gjithë jeta ime u përmbys. Ndërsa konflikti hyrë i dhunshëm në jetën time, ai hyri i dhunshëm edhe në ditarin tim.”

Libri Zëra të Humbur është botuar në 36 gjuhë të ndryshme dhe është libri ndërkombëtar më i shitur. Pasi i shpëtoi luftës në Sarajevë, Zlata vazhdoi studimet në Universitetin Oxford dhe në kolegjin Trinity në Dublin. Ajo ka shërbyer gjithashtu si zëdhënëse e apasionuar e fëmijëve të prekur nga lufta dhe dhuna.

Gjatë debadës së fundit, një milion fëmijë mbetën jetimë si pasojë e konflikteve nëpër botë; 2 milion fëmijë u vranë; 6 milion janë bërë të paaftë, 10 milion vuajnë nga trauma të rënda psikologjike dhe 20 milion fëmijë janë shpërngulur dhe jetojnë në kampe refugjatësh e të shpërngulurish. //ze//

XS
SM
MD
LG