Lidhje

Gratë aziatiko-amerikane, më jetëgjatat në SHBA

  • Nga Braun

Në se kërkoni të zbuloni sekretin e jetëgjatësisë, mund të konsideroni një udhëtim në shtetin amerikan të Nju Xhërsit. Sipas një studimi nga Universiteti i Havardit, gratë aziatiko-amerikane në 21 rrethe të këtij shteti jetojnë më gjatë sesa çdo grup tjetër në Shtetet e Bashkuara. Malkolm Braun i Zërit të Amerikës shkoi në Nju Xhërsi për të zbuluar sekretin:

Studimi i Universitetit Harvard zbuloi se në distriktin Bergen të Nju Xhërsit, aziatiko-amerikanet janë grupi që jeton më gjatë në Shtetet e Bashkuara. Jetëgjatësia mesatare është 91 vjeç.

Ky është ndoshta një vend i mirë për të analizuar shkaqet e mundëshme të kësaj jetëgjatësie – një qendër komuniteti në Ingleud në shërbim të koreano-amerikanëve. Kërcimi tradicional korean është vetëm një nga aktivitetet e shumta për të moshuarit.

Themeluesja e kësaj qendre, Ma Kiun është mbrojtëse e idesë për një jetë të shëndetshme dhe të pavarur.

“Sigurisht, që duhet të jesh e siguruar financiarisht dhe të kesh shëndet. Duhet të mbash një mënyrë jetese të shëndetshme, për të parandaluar sëmundjet kronike. Edhe nëse vuan nga sëmundje të tilla mund t’i mbash ato nën kontroll – për të ndaluar komplikacionet”,- thotë ajo.

Shumë gra vazhdojnë aktivitetin e ditës, duke u kujdesur për nipërit dhe mbesat e tyre mbasdite. Është një orar i ngarkuar për të mbajtur motivacionin e komunitetit – punë dhe familje. Ma Kijun beson se këto vlera tradicionale mund të sjellin jetëgjatësinë.

“Kënaqësia e një gruaje aziatike është të ndihmojë familjen dhe të shoh familjen e saj të lumtur dhe të shëndetshme. Praktikisht punon për të tjerët”, -thotë ajo.

Një faktor tjetër i jetëgjatësisë për aziatiko-amerikanet mund të jetë dieta e tyre. Hong Kei vlerëson lakrën e fermentuar me erëza, që është elementi kryesor në dietën e tyre.

“Të gjithë e dinë, se ky ushqim të bën të fortë. Ka përbërës të shëndetshëm për të parandaluar disa lloje sëmundje infektive”, -thotë studjuesi.

Studimi i Universitetit Harvard zbulon se zona ku jetojnë njerëzit, të ardhurat dhe raca, janë të gjithë faktorë të jetëgjatësisë. Mesatarisht gratë aziatike në distriktin Bergen pritet të jetojnë 30 vjet më shumë sesa amerikanët me të ardhura të pakta.

XS
SM
MD
LG