Lidhje

Presidenti Moisiu, mesazh urimi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së


Presidenti shqiptar Alfred Moisiu i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun që statusi i ardhshëm i Kosovës të reflektojë vullnetin e e shumicës së popullit të saj.

Në një mesazh urimi që kreu i shtetit shqiptar i ka dërguar sekretarit të ri të OKB-së, për marrjen e detyrës, një vend të veçantë, ka zënë çështja e Kosovës, duke qenë se do të jetë kjo organizatë që do të vendosë për statusin përfundimtar të krahinës me shumicë shqiptare.

Në mesazhin e tij, presidenti Moisiu shkruan se kjo është një çështje që preokupon sot jo vetëm komunitetin ndërkombëtar, por për të është tepër i ndjeshëm dhe i shqetësuar i gjithë kombi shqiptar që jeton në hapësirat ballkanike.

Kreu i shtetit shqiptar veçon se “është e rëndësishme të theksohet se luftrat që pasuan shpërbërjen e ish-federatës jugosllave, si dhe koha që ka rrjedhur që kur Kosova u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, kanë dëshmuar, sipas tij, se ky status lipset të jetë në përputhje me vullnetin e shumicës së popullit të Kosovës e po ashtu të reflektojë përpjekjet dhe angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për një Ballkan të qetë e të stabilizuar, i cili duhet të ndahet përfundimisht nga trashëgimia e Luftës së Ftohtë dhe ethet e nacionalizimit të egër.

Presidenti Alfred Moisiu ka deklaruar dhe kërkuar gjithmonë hapur pavarësinë, si zgjidhjen e vetme të çështjes së Kosovës. Ai e rikonfirmon këtë pozicion edhe gjatë mesazhit drejtuar sekretarit te OKB-së, kur shkruan për "të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete fqinje pranë njera-tjetrës".

Qëndrimi i presidentit Moisiu vjen në një kohë, kur në Prishtinë ka dyshime të forta për formën e statusit që do të paraqesë më 2 shkurt kryenegociatori nderkombëtar Marti Ahtisaari.//lk

XS
SM
MD
LG