Lidhje

Banka Botërore shpreh interesim për zonat malore të Shqipërisë


Zonat e varfëra malore në Veri të Shqiperise po terheqin vemendjen dhe interesin e Bankës Botërore. Drejtorja Rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Orsalia Kalanzopulos, ishte të martën në qytetin e Pukës, qytet ky me nivelin më të ulët të zhvillimit në të gjithë Shqipërinë.

Në këtë qytet, Banka Botërore ka dhëne një financim në një linje të re të prodhimit të këpucëve, të ngritur muajt e fundit dhe ku janë punësuar më shumë se 200 vajza dhe gra të ketij qyteti malor.

“Ky ishte një grant shumë i vogël, që bazohet në tregun e zhvillimit dhe ku Banka Botërore me të vërtetë kontribuon duke synuar të ketë një avantazh krahasues në drejtim të sigurimit të infrastrukturës, forcave të afta për punë dhe, përgjithësisht, energjisë elektrike 24 orë”,- tha zonja Kalanxopulos.

Duke vlerësuar përpjekjet e biznesmenit të njohur Paulin Radovani, Drejtorja Rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore, tha se mendonte që një shkollim i mirë profesional është shumë i rëndësishëm për të nxitur punësimin edhe në këte zonë të largët malore të Shqipërisë.

Drejtorja Rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore, zonja Kalanzopulos, tha se Puka është një zonë shumë e varfër e Shqipërisë dhe se është shumë inkurajuese që të shohësh sipermarrje lokale, që angazhojnë banorët e zonës dhe u sigurojnë atyre trajnim dhe punë. Aktivitete prodhuese si këto, tha zonja Kalanzopulos, janë ato që garantojnë ndryshimin.

Në përfundim të vizitës së saj në qytetin e Pukës, zonja Kalanzopulos, tha se Banka Boterore do të vazhdojë të fokusohet tek infrastruktura dhe, gjithashtu, për të sjellë shërbime sociale në këtë zonë të largët dhe të varfër të Shqipërisë.

Fabrika e prodhimit të këpucëve në qytetin e Pukës, e cila funksionon edhe si shkollë profesionale për gratë e vajzat e zonës dhe që mbeshtetet edhe nga Banka Botërore, është investimi më i madh prodhues në të gjithë zonën e largët malore në Veri të Shqipërisë.//lk

XS
SM
MD
LG