Lidhje

Kisinxher, Ollbrajt komentojnë në Senat rreth Irakut


Gjatë një paraqitjeje në Komisionin e Kongresit për Mardhëniet me Jashtë, ish-sekretarët e shtetit, Henri Kisinger dhe Madëlenë Albrajt, i bënë thirrje administratës të angazhojë fqinjët e Irakut, përfshirë Iranin dhe Sirinë.

Zoti Kisinger i cili ishte sekretari amerikan i shtetit gjatë administratës së presidentëve Nikson dhe Ford, propozoi bisedimet me Sirinë dhe Iranin si pjesë e një konference rajonale mbi Irakun.

“Duhet të organizohet një konferencë e tillë. Mendoj se aty duhet të marrin pjesë fqinjët e Irakut, Këshilli i Sigurimit, vende si Indonezia, India dhe Pakistani. Kjo do të ishte një konferencë me pjesëmarrje të gjerë, por më vonë mund të formohen nën-grupe për të diskutuar probleme rajonale. E rëndësishme është se vetëm në një grup të tillë mund të diskutosh çështje si autonomia, sepse krijon një legalizim më të gjerë për atë që po krijohet dhe mënjanon ndërhyrjet”.

Zoti Kisinger tha se fundamentalizmi radikal i paraqitur nga Irani është kërcënimi më i madh në Rajon. Megjithëse ai u shpreh se Irani mund të ketë interes të vogël për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara të zgjidhin krizën në Irak, ai ishte i mendimit se sidoqoftë Uashingtoni duhet të provojë të angazhojë Teheranin.

“Ne nuk kemi asnjë grindje me Iranin. Ne mund ta respektojmë atë si një lojtar kryesor dhe me një rol të rëndësishëm në rajon. Ajo që ne nuk mund të pranojmë është një Iran që synon të dominojë rajonin duke u bazuar tek ideologjia fetare dhe duke përdorur popullatën shiite në vende të tjera për të minuar stabilitetin në rajon, nga ku varet mirëqënia ekonomike e një pjese të madhe të botës”.

Administrata e presidentit Bush ka vendosur kushte paraprake për të hyrë në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin dhe Sirinë. Zyrtarët amerikanë thonë se Irani duhet të ndalojë programin e tij bërthamor, për të cilin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre besojnë se synon prodhimin e armëve bërthamore, përpara zhvillimit të bisedimeve dypalëshe me Uashingtonin. Ata thonë gjithashtu se Siria duhet të mos dërgojë më luftëtarë të huaj dhe armë në Irak përpara se Uashingtoni të fillojë bisedime me Damaskun.

Ish-sekretarja e shtetit, Madëlenë Albrajt, i cila ka shërbyer në administratën e presidentit Klinton, debaton mbi argumentat e mësipërme.

“Ne mund të angazhohemi në bisedime me qeveri të vendeve të tjera pa miratuar veprimet e tyre dhe pa lënë mënjanë të kaluarën. Bisedimet me vende të tjera mbi probleme të vështira janë një nga qëllimet e diplomacisë”.

Megjithëse zonja Albrajt dhe zoti Kisinger janë të të njëjtit mendim mbi nevojën e zgjerimit të bisedimeve diplomatike, ata nuk pajtohen mbi vendimin e ri të presidentit Bush për dërgimin e 21 mijë e 500 trupave shtesë në Irak, shumica e të cilëve do të dislokohen në Bagdad për të ndihmuar forcat irakiane të dëbojnë kryengritësit dhe të sigurojnë lagjet e kryeqytetit. Zonja Albrajt thotë se trupat amerikane nuk duhet të dërgohen në një mision të tillë.

“Ushtarët tanë nuk flasin gjuhën arabe, nuk e njohin sa duhet kulturën dhe gjithashtu ne nuk kemi autoritetin ligjor dhe moral për të shkuar në shtëpitë irakiane dhe të zbatojmë ligjin. Sa herë që bëjmë këtë ne humbim në planin politik aq sa shpresojmë të fitojmë në planin ushtarak”.

Por zoti Kisinger thotë se rritja e numrit të trupave mund të ndihmojë në arritjen e stabilitetit në Irak dhe në formimin e një qeverie uniteti.

Javën e ardhëshme Senati do të marrë në shqyrtim disa rezoluta jodetyruese lidhur me propozimin e rritjes së numrit të trupave. Njëra prej tyre është ajo e propozuar nga republikani më i lartë në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura, senatori Xhon Uarner nga shteti i Virxhinias. Zoti Uarner kundërshton dërgimin e trupave shtesë në Irak.

XS
SM
MD
LG