Lidhje

Demokratët në fushatën presidenciale 2008


Fushata presidenciale e vitit 2008 ka filluar më herët se kurrë ndonjëherë më parë me një numër të madh kandidatësh që shpresojnë të marrin emërimin nga dy partitë kryesore politike të Shteteve të Bashkuara. Mes demokratëve, dy kandidatët kryesorë mund të ndryshojnë historinë. Njëra është gruaja e parë që kryeson ndonjëherë mes demokratëve. Edhe gara e afrikano - amerikanit të parë që ka vërtet shanse për të fituar ka ngjallur entuziazëm:

“Po hyj në garën për president dhe po hyj për të fituar”, tha senatorja Clinton. Ish-Zonja e Parë e Amerikës Hillary Clinton dhe senatore e New Yorkut bëri të shtunën fushatë në Iowa, rreth një vit para konferencave zgjedhore të këtij shteti. 13 ditë më parë Senatori i Ilinoit Barak Obama e deklaroi kandidaturën në internet.

Dy demokratë që kryesojnë garën disa herë shprehin qëndrime të ngjashme. Dy demokratët që shpresojnë të zgjidhen nga partia e tyre si kandidat janë e para grua dhe i pari afrikano-amerikan që kanë shanse të mira për një gjë të tillë.

Raca dhe gjinia nuk do ta vendosin përfundimin e garës, thotë studiuesi i politikës Stephen Hess i Universitetit George Washington. Por... “Ai të tërheq me frymën e tij të re. Të gjithë e kuptojnë atë që beson ai, sepse besojnë të njëjtën gjë. Ndërsa për zonjën Clinton të gjithë i dinë idetë e saj. Është një dyshe absolutisht tërheqëse”, thotë analisti.

Një ditë janari, gruaja e ish-Presidentit Bill Clinton që sapo ka filluar mandatin e dytë gjashtëvjeçar në senat, po fliste në një hotel para kryetarëve të Bashkisë së vendit për shqetësimet e tyre për strehimin, varfërinë dhe kujdesin shëndetësor universal. Vetëm pak rrugë më tutje, Senatori Obama flet po ashtu për kujdesin shëndetësor. Të pranishmit duartrokasin. Veprimtari për çështjet e shëndetit në komunitet Anton Gunn shpreson që senatori Obama të jetë kandidati. “Në fund të fundit, sipas mendimit tim nuk është përvoja më e rëndësishmja. Është arsyetimi. Unë do të preferoja dikë me logjikë të fortë dhe pa përvojë sesa dikë me shumë përvojë, por me gjykim të dobët”.

Zoti Gunn kujton dështimin e Senatores Clinton si Zonjë e Parë kur ajo nuk siguroi dot mbështetje për planin kombëtar të Presidentit Clinton për shëndetin. Shumë demokratë druhen se imazhi i Hillarisë si një politikane e kujdesshme dhe që i llogarit veprimet e saj mund t’ia dëmtojnë asaj shanset. Por kryetari i Bashkisë së një qyteti të Ohajos, Donald Plusquellic sheh diçka të ndryshme. “Po ta shohësh nga afër ajo është shumë më e ngrohtë dhe miqësore dhe mendoj se është për të ardhur keq që është krijuar ky imazh kryesisht i gabuar për të. Ajo është shumë e zonja dhe i kupton çështjet e ditës”.

Një demokrat tjetër që mund të hyjë në histori nëse fiton kandidaturën e partisë së tij dhe bëhet kandidati i parë hispanik për president është Guvernatori i New Mexicos Bill Richardson. Megjithatë ish ambasadori amerikan në OKB është nga fundi në anketat e para. Spekullimet entuziaste për Obamën filluan shumë para se ai të shpallte synimet e tij presidenciale. Komentet e ashpra të senatorit të Ilinoit për politikat e administratës për naftën u duartrokitën në New Hampshire. “Pse duhet t’i financojmë të dyja anët e luftës ndaj terrorizmit?”. Zonja Clinton u përshëndet nga turma të mëdha fundjavën e kaluar në vizitën e parë si kandidate në Iowa ku ajo kritikoi ashpër Presidentin Bush që nuk kishte arritur të realizonte tërheqjen e Amerikës nga Iraku.

Ka kohë deri vitin tjetër kur banorë si fermeri Craig Hill në Iowa do të vënë në provë kandidatët përballë njëri tjetrit në konferencat e partive në këtë shtet. “Do t’u duhet të ulen në sallë dhe t’u përgjigjen pyetjeve të vështira dhe nuk do të mund t’u shmangen dot”. Mund të ndodhin shumë gjëra këtu dhe në zona të tjera që mund të ndryshojnë atë që duket tani si një zgjedhje historike për demokratët. //rd//

XS
SM
MD
LG