Lidhje

Perspektivat e Shqipërisë e të Maqedonisë për anëtarësim në NATO


Ministri shqiptar i mbrojtjes Fatmir Mediu dhe homologu i tij maqedonas, Lazar Elenovski thanë dje në Uashington se zgjidhja e statusit të Kosovës do të sjellë shumë më tepër stabilitet në rajon. Ata morën pjesë në një diskutim në Qendrën e Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare: NATO-ja në shekullin e 21–Perspektivat e Shqipërisë e të Maqedonisë. Në diskutim ishte edhe nën-sekretari amerikan i mbrojtjes, Gordën Inglënd.

Nën-sekretari amerikan i mbrojtjes, Gordën Inglënd, vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë e të Maqedonisë drejt përmbushjes së standarteve për t’u anëtarësuar në NATO. Ai përshëndeti veçanërisht kontributin e Shqipërisë në operacionet ushtarake në Afganistan dhe në Irak si një prej pak vendeve të para që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ato operacione. Zoti Gordën i siguroi këto vende për vazhdimin e mbështetjes amerikane.

“Nga ana e tyre Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me vendosmëri përparimin tuaj deri më tani dhe do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tuaja në të ardhmen, ndërsa ju përgatiteni të përmbushni kriteret e anëtarësimit në NATO para takimit të aleancës të vitit 2008”.

Nën-sekretari Inglënd the se puna e vështirë nuk ka marrë fund. NATO-ja pret përparim të mëtejshëm në reformat e mbrojtjes dhe të shtetit juridik. Në fakt, tha ai, të dyja këto fusha kërkojnë ndryshime themelore. 2007, tha ai, do të jetë një vit vendimtar për Shqipërinë dhe Maqedoninë, një vit pune dhe vendimesh të vështira.

Nga ana e tij, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, falenderoi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë.

“Përfitoj nga rasti për të shprehur përsëri falenderimin dhe mirënjohjen e vendit tim për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, të presidentit Bush, dhe të vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Jam i bindur se vazhdimi i mbështetjes për vendin tim do të çojë më në fund në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO”.

Qeveria shqiptare, tha zoti Mediu, ka bërë përpjekje të shumta për të forcuar dhe konsoliduar institucionet demokratike, për të përforcuar shtetin juridik dhe ka intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut ilegal.

Shqipëria, tha zoti Mediu, ka qënë dhe është një faktor stabiliteti në Ballkanin perëndimor, duke kontribuar bashkë me vendet e tjera në krijimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjve. Ministri Mediu shprehu edhe një herë qëndrimin e qeverisë shqiptare për statusin e Kosovës.

“Qeveria e Shqipërisë beson se zgjidhja e statusit të Kosovës do të sjellë shumë më tepër siguri dhe stabilitet në rajon. Statusi final duhet të garantojë respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë”.

Pasi foli rreth përpjekjeve të vendit të tij drejt anëtarësimit në NATO, ministri i mbrojtjes i Maqedonisë, Lazar Elenovski, duke iu përgjigjur një prej pyetjeve të të pranishmëve, tha se nuk pret që propozimi i kryenegociatorit Ahtisari të pasohet me dhunë në Kosovë.

“Ne nuk shikojmë kërcënime ndaj sigurisë apo ndonjë konflikt të ri si rezultat i statusit përfundimtar të Kosovës. Tani Serbia ka një qeveri demokratike dhe zgjedhjet e 21 janarit janë një shenjë e mirë për të gjithë ne. Me rëndësi është që vendet fqinje të ndihmojnë në zbatimin e reformave në Serbi e në Kosovë dhe që të respektohet vullneti i popullit në Kosovë”.

Ministrat e mbrojtjes të dy vendeve ballkanike theksuan angazhimin e tyre në zbatimin e reformave në fushën e mbrojtjes në vendet e tyre, në përpjekjet për bashkëpunim më të madh me NATO-n e bashkëpunimin rajonat në Grupin e Adriatikut si dhe pjesëmarrjen në misionet paqëruajtëse. //ze//

XS
SM
MD
LG