Lidhje

Disa pika kryesore të propozimit të kryenegociatorit


Kushtetuta e re e Kosovës duhet të përcaktojë se Kosova ka një shoqëri shumë-etnike, duhet të përcaktojë gjithashtu mekanizmat institucionalë dhe ligjorë, për t'u siguruar që Kosova do të qeveriset bazuar në standartet më të larta demokratike dhe të promovojë ekzistencën paqësore dhe të zhvillimit të të gjithë banorëve të saj.

Parlamenti i Kosovës nuk mund ta miratojë zyrtarisht kushtetutën, para se përfaqësuesi civil ndërkombëtar ta ketë certifikuar atë se është në përputhje me këtë marrëveshje.

Kosova do të ketë të drejtë të negociojë dhe të arrijë marrëveshje ndërkombëtare, përfshi të drejtën për të kërkuar anëtarësi në organizata ndërkombëtare. Gjuhët zyrtare do të jenë shqipja dhe serbishtja. Kosova do të ketë simbolet e saj, flamurin, vulën dhe himnin, që do të duhet të pasqyrojnë karakterin e saj shumë-etnik. Kosova nuk duhet të ketë pretendime territoriale kundër askujt dhe nuk duhet të kërkojë bashkim me ndonjë shtet apo pjesë shteti. Kosova do të ketë Këshill të Sigurisë dhe po kështu do të duhet të zhvillojë një strategji të kalimit të kontrollit të kufirit në duart e policisë së Kosovës.

Kufijtë dhe çështja e sigurisë

Kufijtë e saj do të bazohen në kufijtë që kishte Kosova më 31 dhjetor 1988, ndërsa çështja e kufirit me Maqedoninë, do të duhet të zgjidhet përmes krijimit të një komisioni të përbashkët teknik midis Kosovës dhe Maqedonisë, për të përcaktuar fizikisht vijën kufitare dhe për të trajtuar çështje që kanë lindur nga marrëveshja e vitit 2001 midis Shkupit dhe Beogradit.

Kosova do të ketë një agjenci të shërbimit sekret, dhe një forcë të re të sigurisë, profesionale dhe jo-politike, me 2500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervistë, të armatosur me armë të lehta. Kosova duhet të themelojë një organizatë të drejtuar nga civilë për të ushtruar kontroll civil mbi këtë forcë. Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të shpërbëhen. Misioni civil ndërkombëtar do të ketë të drejtën e vetos për vendime të qeverisë dhe të drejtën për të larguar zyrtarë që pengojnë zbatimin e marrëveshjes.

Prania ushtarake ndërkombëtare do të garantojë sigurinë e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, derisa institucionet e Kosovës ta marrin përgjegjësinë për këtë. Serbia do të duhet të kthejë objektet arkeologjike të marra nga muzeumet e Kosovës në periudhën 1998-1999, brenda 120 ditë nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.

Kosova do të marrë pjesën e saj të borxhit të jashtëm të Serbisë, kjo pjesë do të përcaktohet në negociata midis Kosovës dhe Serbisë, nëse palët nuk arrijnë ta bëjnë këtë, do të caktohet një arbitër ndërkombëtar për ta përcaktuar.

Garancitë për pakicat.

8 ligje përmenden në mënyrë të veçantë, që nuk mund të ndryshohen, apo miratohen, pa patur dy të tretat e votave të deputetëve, përfshi edhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave.

Bazuar në decentralizimin e pushtetit, komunat e Mitrovicës Veriore, Gracanicës dhe Shtërpcës, do të kenë kompetenca në sistemin dytësor shëndetsor ndërsa komuna e Mitrovicës Veriore do të ketë kompetencë në arsimin e lartë në këtë pjesë.

Komunat e tjera me shumicë serbe do të kenë kompetenca në çështjet kulturore dhe fetare dhe të drejta më të mëdha pjesëmarrjeje në zgjedhjen dhe heqjen nga puna të komandantëve të stacioneve të policisë në këto zona.

Në territorin e komunës aktuale të Mitrovicës, do të krijohen dy komuna të reja, Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore. Një bord i përbashkët i komunave të Mitrovicës Veriore dhe Mitrovicës Jugore, do të krijohet për të realizuar bashkëpunimin funksional në fushat ku kanë kompetenca.

Kishës ortodokse serbe duhet t'i jepet siguria e nevojshme dhe mbrojtje të tjera, në mënyrë që të mund të gëzojë plotësisht të drejtat, imunitetin dhe privilegjet e saj. Një Këshill zbatues dhe vëzhgues do të ngrihet nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar për t’u kujdesur për zbatimin e kësaj pjese të marrëveshjes, që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë. Kosova nuk do të ketë fe zyrtare dhe do të jetë neutrale, përsa i përket besimeve fetare.

Hapat e tjerë të procesit të propozuar nga zoti Ahtisari:

Kryenegociatori Marti Ahtisari tha sot se pret që në muajin mars, propozimi i tij përfundimtar do t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit. Zoti Ahtisari, i cili dorëzoi sot në Prishtinë dhe Beograd propozimin e tij për statusin, tha se pret që muaji shkurt të jetë muaj konsultimesh midis palëve në Vjenë, në takime që pritet të fillojnë më 13 shkurt.

Presidenti Ahtisari tha se tani fillon faza përfundimtare e konsultimeve. Ai nuk pranoi të komentonte në asnjë mënyrë, nëse plani apo propozimi i tij jep elemente të qarta të hapjes së rrugës për pavarësinë, apo shtetësinë e Kosovës.

Zoti Ahtisari bëri të qartë gjithashtu se dhënia e propozimit të tij në Këshillin e Sigurimit do t'i hapë rrugën miratimit të një rezolutë te re për Kosovën. Zoti Ahtisari tha se nuk dëshironte të kishte ndonjë vonesë të panevojshme, apo artificiale në këtë proces.

Kryenegociatori theksoi se propozimi i tij hap rrugën për një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurtë për Kosovën, por një ofertë që sjell edhe stabilitet për rajonin. Ai e quajti propozimin e tij një "propozim kompromisi "dhe tha se mund t'i bëhen ndryshime, nëse palët arrijnë të bien dakord.

Dokumenti 58 faqesh, është rezultat edhe i negociatave Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësim ndërkombëtar, sipas zotit Ahtisari.

Gjendja e sigurisë sot në Kosovë

Gjendja e sigurisë në Kosovë sot ka qenë e qetë, pa incidente, pa probleme të sigurisë, por me një kontroll të shtuar të policisë dhe të paqeruajtësve të NATO-s. Policia ndërkombëtare ka vazhduar me një operacion të saj për shtimin e masave të sigurisë të quajtur “Dhelpra e blinduar”, ndërkohë që paqeruajtësit e NATO-s vazhdojnë të jenë në gjendje gadishmërie për çfarëdo që mund të ndodhë.

Trafiku në Prishtinë ka qenë i mbyllur sot, në disa pjesë të qytetit që nga mesdita dhe do të jetë kështu deri në mbrëmje, megjithëse nuk duket se ka ndonjë lëvizje të madhe të qytetarëve.

Pjesa më e madhe e tyre janë përqëndruar para televizorëve, ku kanë parë transmetimet e drejtpërdrejta të zhvillimeve dhe vetë njoftimet e dhëna nga kryenegociatori Ahtisari dhe reagimet e udhëheqësve të tyre politikë.

XS
SM
MD
LG