Lidhje

Zyrtarët e NATO-s, BE-së përshëndesin planin për Kosovën


Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jap de Hup Shefer, theksoi se me paraqitjen e propozimit të Presidentit Ahtisari, procesi i statusit të Kosovës ka hyrë në një fazë të re të rëndësishme. Zyra e zotit Shefer nxori sot një deklaratë, ku Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës e cilëson propozimin si një rrugë të re, e cila ofron perspektivën e një të ardhmeje më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë rajonin, përfshirë edhe integrimin në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Ai i bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen plotësisht në mbështetje të zotit Ahtisari në shpirtin e elasticitetit dhe kompromisit. Sekretari i Përgjithshën i Aleancës u bëri thirrje të gjitha palëve të tregohen të përgjegjshme në këtë periudhë. Sekretari Shefer thekson se Natoja do të vazhdojë angazhimin e plotë për një mjedis të sigurtë në Kosovë gjatë zgjidhjes së statusit dhe përtej tij.

Në emër të Bashkimit Evropian, bëri komente edhe Shefi për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana, i cili përgëzoi zotin Ahtisaari për përpjekjet e tij dhe u bëri thirrje palëve të tregojnë përgjegjshmëri, elasticitet dhe prakticitetin e nevojshëm për zgjidhje të bazuara tek kompromisi.

Po sot, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oli Rehn, përshëndeti përmes një deklarate propozimin e Presidentit Ahtisari, duke shprehur mbështetje të plotë për synimet e tij për angazhimin e palëve në punë serioze dhe intensive për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme. Komisioneri Ren thekson angazhimin e bllokut që Kosova dhe mbarë rajoni i Ballkanit perëndimor të realizojnë perspektivën e tyre evropiane.//lk

XS
SM
MD
LG