Lidhje

Reagime dhe mendime analistësh mbi propozimin për statusin përfundimtar të Kosovës


Shtetet e Bashkuara e quajtën të premten plan-marrëveshjen që iu paraqit Prishtinës dhe Beogradit nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, të drejtë dhe të ekuilibruar dhe u bënë thirrje autoriteteve si, në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, të punojnë drejt një marrëveshjeje përfundimtare. Sekretarja e Shtetit, Kondoliza Rajs, po këshillohet me kolegët e saj evropianë në lidhje me hapat e ardhshëm të këtij procesi.

Shtetet e Bashkuara, në një deklaratë me shkrim, shprehën mirënjohje për përpjekjet e tij dhe u kërkuan palëve të përfshira, ndër të cilat edhe qeverisë serbe, të angazhohen në mënyrë kontruktive me të dërguarin e posaçëm, ndërkohë që ky i fundit përpiqet të arrijë një marrëveshje përfundimtare.

Në deklaratën që u lexua nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mëkormak, thuhet se plani i zotit Ahtisari është i drejtë dhe i ekuilibruar dhe shërben si model për një Kosovë të qendrueshme, të begatë dhe shumentike.

Ai tha se klauzolat e planit që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, do t’i japin shtysë zhvillimit demokratik dhe tha se Shtetet e Bashkuara e inkurajojnë zotin Ahtisari të përfundojë shpejt punën e tij në mënyrë që Kosova dhe rajoni në përgjithësi të jneë përfundimisht në gjendje të qartësojnë të ardhmen e tyre.

Sekretarja e Shtetit, Kondoliza Rajs, e diskutoi këtë çështje në takime private të enjten vonë me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov, qeveria e të cilit është shprehur se, ashtu si Serbia, e shikon me mosbesim një Kosovë të pavarur.

Po mbi këtë çështje, zonja Rajs, diskutoi të premten me ministrin e jashtëm gjerman, Frank-Walter Shtajnmajër, i cili ashtu si ministri i jashtëm rus, ndodhej në Uashington për një mbledhje të kuartetit ndërkombëtar për Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi Mëkormak i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë gati për të ndihmuar përpjekjen përfundimtare për zgjidhjen e Kosovës me një ekip diplomatik të kryesuar nga i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën, Fran Uizner, ndihmës-sekretari i shtetit për çështje evropiane, Den Frid, nënsekretari për çështje politike, Nikolas Bërns dhe kur të jetë e nevojshme edhe vetë Sekretarja Rajs. “Ne kemi qenë atje. Bëjmë pjesë në Grupin e Kontaktit. Kjo nuk ndryshon. Ambasadori Uizner dhe Den Frid do të jetë personat e angazhuar aktivisht në këtë çështje. Po ashtu, zoti Bërns është tepër i interesuar në këtë çështje. Dhe kur të jetë e nevojshme, Sekretarja Rajs do të përfshihet për të nxitur zgjidhjen. Askush nuk shpreson për një rrugë pa pengesa. Kurdo që të nevojitet një zgjidhje përfundimtare, ajo do të përfshihet personalisht”.

Zëdhënësi Mëkromak tha se çështja e statusit përfundimtar të Kosovës duhet trajtuar nga Këshilli i Sigurimit, meqenëse gjatë viteve të fundit Kosova ka qenë protektorat i Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë përkrahur publikisht ndonjë formulë përfundimtare për statusin e Kosovës, por zyrtarë serbë kanë pohuar vazhdimisht se Uashingtoni mbështet pavarësinë dhe janë shprehur se pretendojnë që Moska si aleate e tyre, ta bllokojë një zhvillim të tillë.

Plani i të dërguarit Ahtisari do t’i jepte Kosovës shumë nga karakteristikat e një shteti me vete, përfshirë edhe pjesëmarrjen në organizma ndërkombëtare, por nuk përmend pavarësinë nga Serbia.

Ndërkohë, korrespondenti ynë për çështje të Ballkanit, Beri Ud, na sjell reagime të tjera pas paraqitjes së planit të të dërguarit Ahtisari.

Ai thotë se ministria e jashtme britanike e quajti planin si themel për një marrëveshje përfundimtare të drejtë e të qendrueshme.

Ahtisari, ish-presidenti i Finlandës, i dorëzoi dokumentin prej 58 faqesh zyrtarëve në Beograd dhe më pas në Prishtinë. Ai e quajti plan-projektin “një marrëveshje që mund të dhe duhet të korigjohet” dhe i ftoi kosovarët e serbët të takohen në Vjenë për konsultime.

Megjithëse propozimi nuk përmend shkëputjen e Kosovës nga Serbia, ai cilëson kushtet në bazë të të cilave Kosova do të hartonte kushtetutën e saj dhe të anëtarësohet në organizma ndërkombëtare. Po sipas propozimit, Bashkimi Evropian do të ndërmerrte nga UNMIKU rolin mbështetës për Kosovën dhe do të mbikqyrte zhvillimin e institucioneve shtetërore.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, e dënoi propozimin si të paligjshëm, sepse ai tha se shkel kartën e OKBs-ë duke dëmtuar sovranitetin e Serbisë që është anëtare e organizatës.

Presidenti serb, Boris Tadiç, u takua me të dërguarin Ahtisari, por ishte gjithashtu kritik ndaj propozimit dhe tha se ai shtron terrenin për pavarësinë e Kosovës, të cilën ai nuk do ta pranonte kurrë.

Në Prishtinë reagimi ndaj propozimit ishte shumë më i ngrohtë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se ai dhe udhëheqës të tjerë shqiptarë e prisnin prespektivën që Kosova të bëhet shtet i pavarur. Ai gjithashtu u zotua të garantonte të drejtat dhe sigurinë e komunitetit serb të Kosovës.

Daniel Server, specialist mbi çështjet e Ballkanit në Institutin e Paqes në Uashington, shtron pyetjen se përse reagimi serb është kaq negativ? “Është mjaft ironike që Serbia po e hedh poshtë si të papranueshëm propozimin, pasi ky i fundit nuk shkel pozicionin e patundur serb kundër pavarësisë së Kosovës, por shkel atë të Kosovës, e cila kërkonte diçka që t’ia bënte të ardhmen absolutisht të qartë. E megjithatë, kosovarët e pranojnë dhe Beogradi e hedh poshtë”.

Që të zbatohet propozimi i zotit Ahtisari, duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit dhe rezultati nuk është i sigurt, meqenëse Rusia ka krëcënuar të përdore veton ndaj çdo mase të papranueshme nga Beogradi.

Martin Shlexinger, drejtor i sektorit për Evropën Lindore në Qendrën e Studiuesve “Wodrow Wilson” në Uashington, beson se në fund të fundit Rusia nuk do të bëhet pengesë për marrëveshjen. “Mendoj se Shtetet e Bashkuara tani për tani po negociojnë energjikisht prapa skene ne rusët për të garantuar që kur propozimi i Ahtisarit të jetë shndërruar në një projekt-rezolutë të Këshillit të Sigurimit, të hartohet në mënyrë të atillë që rusët të mos vënë veton. Mund të mos jetë e domosdoshme që ata të thonë “Po”, por ata mund ta shmangin veton dhe të abstenojnë”.

Vlladimir Matiç, ish-diplomat jugosllav, tani studiues i çështjeve politike në universitetin “Clemson”, thotë se Kryeministri Koshtunica po luan një lojë të rrezikshme duke kërcënuar me prishje të marrëdhënieve diplomatike me çdo vend që njeh një Kosovë të pavarur. “Mendoj se humbësi më i madh në këtë lojë është populli serb. Dhe kuptohet është në kundërshtim me interesin kombëtar të Serbisë. Tëgjithë e dinë se Serbia nuk ka fuqi të mbështesë një qendrim të tillë diplomatik”, tha ish-diplomati jugosllav. //az//

XS
SM
MD
LG