Lidhje

Di Karlo: Plani i Ahtisarit përfshin një numër kompromisesh


Zëvendës-ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet eevropiane dhe euroaziatike, Rozmari Di Karlo tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se beson që Beogradi të gjejë në planin e zotit Marti Ahtisari shumë gjëra që do ta bënin të kënaqur.

Zëri i Amerikës: A nënkupton propozimi i zotit Ahtisari pavarësi për Kosovën, megjithëse kjo fjalë nuk përmendet në planin e tij?

Rozmari Di Karlo: Presidenti Ahtisari ka paraqitur një propozim që është shumë i gjerë përsa u përket klauzolave për mbrojtjen e pakicave dhe çështje të tjera. Ai e bën shumë të qartë se ekziston nevoja e masave për mbrojtjen e pakicave, për mbrojtjen e kishave, sidomos të atyre ortodokse serbe në Kosovë. Ai e bën gjithashtu shumë të qartë se Kosova ka nevojë të vetqeveriset. Me sa di, ai tha gjatë vizitës së djeshme në Prishtinë se në kohën e duhur do të dalë me propozimet përfundimtare.

Zëri i Amerikës: Në ç’mënyrë mendojnë Shtetet e Bashkuara ta joshin Beogradin për ta pranuar planin e zotit Ahtisari, çfarë karrote do të përdorin ato, nëse mund të shprehemi kështu?

Rozmari Di Karlo: Së pari, plani i zotit Ahtisari përfshin një numër kompromisesh. Ai përpiqet të ngushtojë hendekun midis palëve në rajon për shumë çështje, si të drejtat e pronës, decentralizimi i pushtetit etj. Prandaj plani i tij është një plan vërtet i drejtë dhe i paanshëm. Besoj se Beogradi do të gjejë në këtë plan shumë gjëra që do ta bëjnë të jetë i kënaqur, sidomos për masat mbrojtëse për serbët që jetojnë në Kosovë, për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe. Mendoj se Serbia ka një fokus drejt Evropës dhe kjo është diçka e mirë për të gjithë: për Shtetet e Bashkuara, për Bashkimin Evropian, për vendet e tjera të Evropës, gjë që do ta ndihmonte Serbinë të realizonte të ardhmen e saj, një e ardhme së cilës ajo me të drejtë i përket – në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu në NATO, përsa u intereson Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Mendoni se propozimi i zotit Ahtisari mund të përdoret si pretekst që serbët e Kosovës të kërkojnë ndarjen e pjesës veriore?

Rozmari Di Karlo: Pozicioni i Shteteve të Bashkuara dhe i Grupit të Kontaktit për këtë çështje është se ne nuk mbështesin asnjë ndarje të Kosovës apo bashkimin e saj me një vend tjetër ose me pjesë të ndonjë vendi tjetër. Ne mendojmë se Presidenti Ahtisari ka krijuar një paketë mjaft të gjerë propozimesh që vërtet do të lejonte serbët e Kosovës, dhe pakicat e saj të kenë aftësinë për të përcaktuar vetë të ardhmen e tyre, të kenë qeverisjet e tyre lokale. Mendoj se kjo është diçka që serbët e Kosovës do ta përshëndesin kur ta kuptojnë se përfshihet në paketën e propozimeve.

Zëri i Amerikës: Disa analistë sugjerojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë më me forcë për të kapërcyer pengesat e krijuara nga Rusia që do ta zvarrisnin procesin në Kombet e Bashkuara. Cili është mendimi juaj?

Rozmari Di Karlo: Dua të theksoj se ne punojmë shumë ngushtë me Rusinë. Rusia është anëtare e Grupit të Kontaktit dhe ka qenë e angazhuar në të gjitha takimet dhe diskutimet tona. Të gjitha synimet tona janë që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë nga afër për këtë çështje. Ne kemi shumë vite që punojmë me Rusinë për çështjet e Ballkanit – pra Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa – kemi në plan të vazhdojmë edhe më tej kështu dhe presim që Rusia të vazhdojë të jetë një partnere konstruktive.

Zëri i Amerikës: Është lënë të kuptohet tashmë se njohja e Kosovës mund të bëhet nga shtetet veç e veç, duke e anashkaluar Këshillin e Sigurimit, ku Rusia mund të verë veton. Çfarë përparëse po i jepet kësaj taktike në politikën e Departamentit të Shtetit?

Rozmari Di Karlo: Mendoj se Presidenti Ahtisari e tha se ka në plan t’i angazhojë palët gjatë javëve të ardhëshme dhe të shkojë në Këshillin e Sigurimit me një rekomandim, sidomos me një rekomandim nëse palët nuk kanë arritur marrëveshje përfundimtare. Natyrisht ne do të presim me padurim që procesi të përfundojë dhe do të mbështesim përpjekjet e Presidentit Ahtisari ashti siç e mbështetëm edhe gjatë vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG