Lidhje

Berisha në Kukës; Përurohet fillimi i punimeve për tunelin e Kalimashit


Sot paradite, kryeministri i Shqipërisë zoti Sali Berisha, i shoqëruar edhe nga ministrat e transporteve të Shqipërisë dhe Kosovës, ishte në Kukës ku përuroi me nje shpërthim simbolik, fillimin e punimeve për hapjen tunelit të Kalimashit, pjesë e rëndësishme e autostradës Durrës – Kukës – Prishtine. Hapja e këtij tuneli, në një terren të vështirë malor, realizohet nga kompania amerikane Bechtel së bashku me kompaninë turke Enka.

Zoti Berisha tha se ky do të jetë tuneli më i gjatë në vend duke bërë të mundur shkurtimin e distancës midis Tiranës dhe Pristinës e cila do të përshkohet për afro 3 orë e 30 minuta. Kryeministri Berisha falenderoi të gjithë taksapaguesit shqiptarë që po kontribuojnë për ndërtimin e kësaj autostrade dhe premtoi ndërtimin e saj brenda vitit 2009.

Ndërkohë, ministri i transporteve Lulzim Basha, tha se deri në përfundim të punimeve, autostrada do të financohet nga buxheti i shtetit shqiptar dhe nga financimet e huaja. Tuneli i Kalimashit, me një gjatësi prej 5.65 kilometrash dhe me katër korsi, do të ndërtohet sipas paramentrave më modernë të kohës, në një lartësi prej 800 metrash mbi nivelin e detit.

Tuneli përbën segmentin më të vështirë dhe më të rëndesishëm të autostradës Durrës – Kukës – Prishtinë, me gjatësi prej 170 kilometrash dhe që pritet të kushtojë rreth 600 milionë euro. //ad//

XS
SM
MD
LG