Lidhje

Në Kosovë pritet të fillojnë diskutimet mbi propozimin e z. Ahtisari


Në Kosovë pritet të fillojnë gjerësisht diskutimet për propozimin e kryenegociatorit Marti Ahtisari, i cili ia paraqiti atë këtë javë Prishtinës dhe Beogradit. Prishtina e ka pranuar propozimin dhe pritet të bëjë vërejtjet e saj për të ndërsa Beogradi e ka hedhur poshtë atë.

Analisti nga Kosova Ilir Dugolli, nga Instituti Kipred, i cili ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi, beson se propozimit nuk mund ti bëhen ndryshime të rëndësishme.

Zoti Dugolli thotë se propozimi nuk sjell gjithë qartësinë që ka pritur Prishtina, por si tërësi, ka disa elemente që janë avancim në krahasim me gjendjen e tashme. Flitet për disa elemente, thotë ai, që supozojnë ekzistimin e shtetit, rregullimin e shtetësisë së banorëve që jetojnë në Kosovë, simbolet e shtetit, disa gjëra të tjera që presupozojnë ekzistimin e shtetit.

Analisti Dugolli thotë gjithashtu se Beogradi do të vazhdojë të përpiqet të blejë kohë dhe nuk pritet që ai të jetë më bashkëpunues. Sipas tij, në Beograd nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor dhe Beogradi mund ta përdorë pakicën serbe në Kosovë, vecanërisht serbët në pjesën veriore të Kosovës, ku ata janë shumicë, në shërbim të politikës së tij. Zoti Dugolli nuk hedh poshtë mundësinë e shpalljes së pavarësisë së pjesës veriore të Kosovës nga serbët e atjeshëm, por nënvizon se aty do të vihet në dukje gadishmëria e bashkësisë ndërkombëtare për ta mbajtur gjendjen nën kontroll./al/

XS
SM
MD
LG