Lidhje

Shtetet e Bashkuara mbështesin propozimin e të dërguarit të OKB-së për Kosovën


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për statusin e Kosovës, ambasadori Frenk Uizner tha sot në Prishtinë se propozimi përfundimtar i kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, nuk do të zhgënjejë qytetarët e Kosovës. Ai i bëri këto komente gjatë takimeve që zhvilloi në Prishtinë me zyrtarët më të lartë të Kosovës për të diskutuar propozimin e zotit Ahtisari i cili iu dorëzua palëve të premten më 2 shkurt. Zoti Uizner ritheksoi sot mbështetjen e qeverisë amerikane për për procesin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se ky është një propozim i shkëlqyeshëm që meriton mbështetje të plotë dhe ne shpresojmë dhe inkurajojmë të gjitha palët që të shfrytëzojnë ftesën e zotit Ahtisari për t’u angazhuar në diskutimet në Vjenë para se propozimi të marrë formën përfundimtare dhe të shkojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha zoti Wisner.

Ai nënvizoi pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara se ky propozim hap rrugën për një fillim të ri për Kosovën, për një vend paqësor, të qëndrueshëm, funksional dhe përparimtar, që do të ofrojë siguri dhe mundësi të plota për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike. Propozimi sipas zotit Wisner kërkon një studim të qartë por edhe një mbështetje të plotë dhe palët duhet ta lexojnë, kuptojnë, komentojnë dhe ndryshojnë. Dokumenti i zotit Ahtisaari del nga parimet e vendosura në fillim të procesit nga ato vende që kujdesen për të ardhmen e Kosovës dhe janë të përfshira në proces.

“Në mesin e këtyre parimeve është respektimi i sigurisë dhe të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ruajtja e tërësisë tokësore është e qartë në këtë dokument dhe kufijtë që dihen janë ata që do të mbeten dhe në këtë pikë Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e Grupit të Kontaktit janë të vendosur”.

Ai nuk deshi të komentojë nëse propozimi parasheh pavarësi për Kosovën, duke nënvizuar se tash është koha kur duhet të kryhen punë me rëndësi thelbësore që Kosova të ketë struktura institucionale të qëndrueshme.

“Pas kësaj zoti Ahtisaari do të shkojë në Kombet e Bashkuara dhe do të bëjë propozimin me të cilin dyshoj që do të jeni të zhgënjyer” tha zoti Wisner.

Ai tha se së bashku me Rusinë, Shtetet e Bashkuara kanë filluar shqyrtimin e së ardhmes së Kosovës dhe është synim amerikan për të vazhduar këtë bashkëpunim siç ka ndodhur në Grupin e Kontaktit dhe për të përmbyllur këtë çështje. Ai tha se kah fundi i javës do të udhëtojë për në Moskë për të vazhduar diskutimet me palën ruse. Ai tha se gjatë vizitës në Rusi do të nënvizojë se ajo që është filluar së bashku "duhet të përmbyllet së bashku”.

Zoti Uizner i cili nesër pritet të qëndrojë në Beograd, tha se propozimi për statusin e Kosovës bazohet në një varg çështjesh që synojnë drejtpeshim. Nevojën për një ardhmëri funksionale që përmbushë aspiratat e qytetarëve të Kosovës, nevojën për të vendosur sigurinë për të gjitha komunitetet dhe atë për një mbështetje të domosdoshme që duhet të ketë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Prandaj vërejtjet që mund të jenë pjesë e këtij drejtpeshimi do të mund të përfshihen në propozimin përfundimtar, tha ai.

Propozimi i zotit Ahtisaari i cili u dorëzua të premten ka gjetur përkrahje në Prishtinë dhe është kundërshtuar ashpër nga Beogradi, përfaqësuesit e të cilit ende nuk kanë shpjeguar nëse do të marrin ftesë në raundet e reja të bisedimeve që do të fillojnë më 13 shkurt në Vjenë. Zoti Wisner tha se nëse dikush vendosë të mos marrë pjesë në këto bisedime kjo është çështje e tij. //kk//

XS
SM
MD
LG