Lidhje

Ndërron jetë aktori i madh Kadri Roshi


Në Shqipëri sot u nda nga jeta një nga aktorët më të mëdhenj të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Kadri Roshi u shua pak pas mesditës, në Tiranë, në moshën 83 vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë. Aktori i shquar numëron në karrierën e tij mbi 50 vjeçare dhjetra role në skenën e teatrit dhe mbi 100 role në filma të ndryshëm,duke lënë kështu një galeri të pasur me personazhe të spikatur shumë prej të cilëve kanë mbetur të fiksuar në memorien e shikuesve shqiptarë.

Kadri Roshi do të kujtohet për interpretimet e tij brilante në filmat “Lulëkuqe mbi Mure”, Njeriu me top”, “Gjeneral Gramafoni”, Liri a Vdekje” e shumë të tjerë.

Kadri Roshi u ngjit për herë të parë në skenë në vitin 1945. Ai është nderuar me shumë çmime në festivalet e Teatrove dhe Filmit, duke marrë dhe titullin Artist i Popullit.

Në vitin 1998 atij i jepet nga presidenti i Republikës medalja “Nderi i Kombit” Roli i tij i fundit është po atë vit në një film të prodhimit grek e ku ai u vlerësua me një çmim në Selanik.

XS
SM
MD
LG