Lidhje

Italia shton masat e sigurisë në stadiumet e futbollit


Qeveria italiane pritet të shtojë masat e sigurisë nëpër stadiume, për të frenuar aktet e dhunës nga ana e tifozëve. Të premten u vra një polic gjatë trazirave pas një ndeshjeje futbolli të serisë A. Si pasojë ndeshjet e planifikuara për këtë fund javë në kampionatin italain janë anuluar, deri në miratimin e masave të reja të sigurisë për stadiumet.

Ministri i Brendshëm italian Xhuliano Amato tha se 34 njerëz janë arrestuar pas trazirave të ndeshjes së futbollit të serisë A ku u vra një polic. Amato raportoi përpara parlamentit një ditë pasi ai dhe ministra të tjerë të kabinetit u takuan me zyrtarët e futbollit për të diskutuar mbi forcimin e masasa në përgjigje të dhunës.

Ndërmjet 34 të arrestuarve në Katania të premten, 11 ishin të mitur tha Amato. Ata nuk besohet se janë përgjegjës për vrasjen e policit 38 vjeçar, por janë të dyshuar për dhunë dhe vandalizëm.

Masat e miratuara në takimin e djeshëm në Romë, përfshijnë ndalimin e tifozëve për të hyrë në stadiume ku masat e sigurisë nuk janë të mjaftueshme si dhe ndalimin e klubeve t’u shesin blloqe biletash tifozave të ardhur për të kontrolluar se kush hyn në stadium. “Nëse stadiumet nuk realizojnë masat e sigurisë, në to nuk do të lejohen tifozët, dhe ndeshjet e futbollit do të jenë me dyer të mbyllura, deri sa masat e sigurisë të arrijnë nivelin e duhur” u tha Amato deputetëve.

Masat e sigurisë do të paraqiten për miratim nesër përpara kabinetit qeveritar. Ndeshjet e serisë A të planifikuara për të shtunën dhe të dielën u anuluan si pasojë e trazirave pasi Palermo mundi skuadrën vendase, Katanian 2 me 1. Amato premtoi t’i rezistojë presionit të zyrtarëve të futbollit, të cilët nuk duan që masat të jenë tepër të rrepta, por Amato tha se në fillim duhet që të garantohet siguria brenda dhe jashtë stadiumeve. Komentet e Amatos ishin si përgjigje ndaj presidentit të ligës së futbollit Antonio Materazo, i cili tha se ndeshjet nuk duhet të ndalohen thjesht sepse në disa prej tyre ka patur dhunë. //rd//

XS
SM
MD
LG