Lidhje

Shqetësime për numrin në ulje të grave që bëjnë mamogramë


Për të paktën dy dekada, gratë amerikane i kanë kushtuar vëmendje këshillave se zbulimi në fazat e para mund të ndalojë kancerin e gjirit. Por tani ekspertët shëndetësorë janë të shqetësuar se disa gra nuk po i vënë veshin sa duhet këtij mesazhi kaq të rëndësishëm. Ka shqetësime për numrin në ulje të grave që po i nënshtrohen mamogramit.

Gratë në mbarë botën kanë arsye të jenë të shqetësuara për kancerin e gjirit. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se sëmundja shkakton numrin më të lartë të vdekjeve nga kanceri tek gratë në mbarë botën. Gratë amerikane nuk janë imune ndaj këtij kanceri. Ai është vrasësi kryesor pas sëmundjeve të zemrës në Shtetet e Bashkuara.

Lajmet e fundit se vdekjet nga kanceri janë ulur në Shtetet e Bashkuara ishin inkurajuese për shumë zyrtarët të shëndetësisë. Por tani të njëjtët ekspertë të shëndetësisë janë të shqetësuar nga rënia e numrit të grave që po ekzaminohen përmes mamogramit.

Procedura me reze X e njohur si mamogram është konsideruar për një kohë të gjatë si një nga format më të besueshme për zbulimin e kancerit të gjirit në fazat e para. Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se kjo teknologji e ka ulur numrin e vdekjeve me 20 përqind deri 35 përqind në gratë midis moshave 50 dhe 69 vjeç dhe me 20 përqind për gratë në të 40at. Duke filluar nga 40 vjeçe e lart, shumica e grave bëjnë mamogramin e parë. Në vitin 1987 vetëm 29 përqind e grave amerikane bënë mamogramin.

Deri në vitin 2000 të paktën 76 përqind e grave u kontrolluan. Më pas, gjatë pesë vjetëve të fundit, niveli ra me afro 2 përqind. E përkthyer kjo përqinde në numra realë: në se ekspertët e kancerit thonë se 80 milion gra duhet të bëjnë mamogramin çdo vit, kjo do të thotë se të paktën 1 milion gra nuk po ekzaminohen.

Doktor David Dershaw i qendrës Memorial Sloan Kettering për kancerin në New York beson se kjo tendencë është shqetësuese. "Gratë që nuk bëjnë mamogramin e kanë më të vështirë për ta trajtuar kancerin kur zbulohet. Ai mundet t’i vrasë".

Por përse kjo neglizhencë kur procedura mund të shpëtojë jetën e kaq shumë grave? Ja disa opinione: Jam e ngarkuar me gjëra të tjera. Duhet të planifikosh kohë...Shumë nga kompanitë radiologjike janë të mbingarkuara dhe duhet shumë kohë për të parë doktorin... Kjo mund të jetë e vërtetë. Midis viteve 2001 dhe 2004, një studim i qeverisë amerikane tregoi se në Shtetet e Bashkuara ka tani 500 qendra mamografie më pak.

Doktoresha Carol Lee e Universitetit Yale, thotë se shuma e vogël e rimbursimeve nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore janë pjesërisht fajëtoret për problemet financiare të qendrave radiologjike. "Qëndrat po humbisnin para. Shuma që merrnin për këtë procedurë nuk mbulonte shpenzimet". Doktoresha Lee thotë gjithashtu se pakësimi i qendrave të mamografisë do të thotë se ka më pak radiologjë dhe teknikë për të interpretuar analizat. "Numri i specialistëve të kësaj fushe është në rënie. Mund të ketë shpjegime të tjera për këtë rënie".

Një mjek në Shoqatën Amerikane të Kancerit thotë se shumë gra marrin një përgjigje të kënaqshme dhe nuk e përsërisin ekzaminimin në vite. Një vetkënaqësi, thotë ai, që mund të rrisë rezikun e kancerit të gjirit. //rd//

XS
SM
MD
LG