Lidhje

Marti Ahtisari shpreson të paraqesë propozimin në Këshillin e Sigurimit në fund të marsit


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën Marti Ahtisari tha sot në Nju Jork se është i interesuar që procesi për statusin të përfundojë sa më shpejt.

Ai i bëri komentet pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon dhe me përfaqësues të vendeve të Këshillit të Sigurimit për të biseduar mbi propozimin që u paraqiti ditë më parë Prishtinës dhe Beogradit. Zoti Ahtisari tha se shpreson t’ia paraqesë Këshillit të Sigurimit variantin përfundimtar të propozimit të tij deri në fund të marsit.

Zoti Ahtisari kishte planifikuar konsultime me Prishtinën dhe Beogradin më 13 shkurt për të dëgjuar sugjerimet e tyre për planin e tij, por ai tha se nuk është kontaktuar ende nga pala serbe, e cila ka kërkuar shtyrjen e konsultimeve. Zoti Ahtisari tha se është i hapur për një shtyrje të tillë dhe la të kuptohet se bisedimet mund të shtyhen për një ose dy javë.

Në komentet e tij, zoti Ahtisari shprehu keqardhje për reagimet e përfaqësuesve serbë të cilët refuzuan ta takonin në Beograd. Ai tha se ata nuk e kanë lexuar dokumentin, i cili në dy të tretat e tij flet për serbët e Kosovës dhe për të drejtat e tyre.

Të dyja palët, tha zoti Ahtisari kanë arritur në përfundimin se paketa e tij nënkupton pavarësi të mbikqyrur nga komuniteti ndërkombëtar. Por ai tha se statusi përfundimtar do të shprehet qartë në propozimin përfundimtar që ai do t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit. Ai theksoi se shpreson që çështja e statusit të përcaktohet në Këshillin e Sigurimit.

I pyetur nëse rasti i Kosovës mund të shërbente si precedent për rajone të ndryshme separatiste në ish Bashkimin Sovjetik, zoti Ahtisari tha se Kosova është një rast më vete dhe ka historinë e saj. Ai tha se nëse nuk shikon se çfarë ndodhi në Kosovë pas vitit 1989, atëhere është e pamundur të kuptohet propozimi i paraqitur prej tij.

Zoti Ahtisari tha gjithashtu se ka mbështetje të plotë nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon. //ze//

XS
SM
MD
LG