Lidhje

Zgjerohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve


Një studim i kohëve të fundit flet për zgjerimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve të botës, në kushtet kur 2 për qind e popullsisë kontrollon më tepër se gjysmën e pasurisë globale dhe kur mbi një miliard njerëz në mbarë botën jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Lind pyetja: Cilat janë shkaqet e këtij fenomeni?

Një për qind e popullsisë së botës kontrollojnë 40 për qind të pasurisë së botës, sipas një studimi të Universitetit të Kombeve të Bashkuara. Kjo pasuri është përqëndruar në vendet më të zhvilluara të botës, në rajonin e Azi-Paqësorit, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Vendet në zhvillim kanë më pak se 10 për qind të pasurisë, që matet nga prona dhe pasuri të tjera. Përsa u përket të ardhurave, mbi një miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë me më pak se një dollar në ditë, krahasuar me një të ardhur mesatare për frymë mbi 17 mijë dollarë në vendet e zhvilluara. “Për çdo dollar që fiton një banor i një vendi me të ardhura të larta, kjo në vendet në zhvillim do të korrespondonte me 16 centë për punë të njëjtë”. Ekonomisti i Bankës Botërore, Maurizio Bussolo pranon se hendeku në të ardhurat është i madh, por do të pakësohet në çerekshekullin e ardhshëm.

Shumë analistë theksojnë se ngushtimi i hendekut mes vendeve të pasurve dhe të varfërve do të jetë një proces i gjatë dhe i ngadaltë. David Roodman, punonjës i Qendrës për Zhvillimin Global me seli në Washington, thotë se kjo ndodh për arsye se vendet më të varfëra nuk e kanë përjetuar një lloj rilindjeje industriale që Perëndimi e kaloi kohë më parë. “Të pasurit nuk janë të pasur sepse kanë marrë para prej të tjerëve. Në shumicën e rasteve, vendet e pasura janë të tilla ngaqë kanë patur një histori të veçantë zhvillimi industrial. Pyetja e vërtetë është, se si mund ta ndihmojmë ne pjesën tjetër të botës të kalojë nëpër të njëjtin proces, në mënyrë të tillë që edhe ata të jenë më mirë ekonomikisht?"

Mes nismave të tanishme që synojnë të ndihmojnë në ngushtimin e hendekut të pasurisë dhe të të ardhurave, janë një program mikrokredish i Kombeve të Bashkuara, i cili ndihmon në financimin e bizneseve të vogla në vendet në zhvillim, si dhe një program i Bankës Botërore që u ofron ndihma në para familjeve në nevojë, në se ato zotohen të marrin përsipër të sigurojnë shkollimin dhe shërbimin shëndetësor për fëmijët e tyre.

Ekspertët e Bankës Botërore parashikojnë se gjatë 25 vjetëve të ardhshme zgjerimi i tregtisë ndërkombëtare, shkëmbimet në fushën e teknologjisë dhe shtimi i bashkëpunimit në shkallë botërore, prirje ekonomike të quajtura shpesh “globalizim”, do të çlirojnë nga varfëria një numër më të madh njerëzish të vendeve në zhvillim. //rd//

XS
SM
MD
LG