Lidhje

Komisioneri Rehn me kritika për zhvillimet në Maqedoni


Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Oli Rehn qëndroi për vizitë në Maqedoni ku bëri kritika serioze për zhvillimet politike atje.

Zoti Rehn tha se që nga dhënia e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, Maqedonia nuk ka shënuar përparim. Ai bëri thirrje për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, për realizimin e reformave dhe për një konsensus politik.

Komisionseri Oli Rehn ishte mjaft kritik ndaj zhvillimeve në Maqedoni. Ai tha se BE zotohet t’u ndihmojë vendeve të Ballkanit perëndimorë drejt integrimit në BE por se kjo varet nga mënyra se si ato i realizojnë reformat. Komisioneri Rehn vërejti se shpejtësia e realizimit të reformave në Maqedoni është ngadalësuar që nga dhënia e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE dhe se duhet një përparim thelbësor në mënyrë që komisioni ta konsiderojë seriozisht kërkesën për fillimin e bisedimeve pe anëtarësim.

Zoti Rehn u shpreh i shqetësuar për tensionet politike, siç tha, midis qeverisë dhe opozitës dhe tha se kjo nuk i shërben kritereve për integrim. Ai ishte shumë i qartë kur tha se zhvillimet e vitit të fundit janë alarmuese. Ai e ka inkurajuar kryeministrin maqedonas që të bëjë lehtësime ndaj konsensusit politik; ndërkohë kërkoi nga opozita të veprojë në mënyrë konstruktive. Bojkotimi i institucioneve nuk është rruga e drejtë për të vepruar, tha komisioneri evropian.

Zoti Rehn tha se duhet zotuar që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet edhe më tutje dhe jo vetëm në letër por me shpirt, siç u shpreh. Zoti Rehn foli ndërkohë për qëndrimin konstruktiv të Maqedonisë në procesin e statusit të Kosovës. Ai tha se Maqedonia paraqet partner të Bashkimit Evropian në këtë çështje. BE do ta ndihmojë Maqedoninë këtë vit me gjashtëdhjetë milionë Euro për realizimin e synimeve të saj në reformat e duhura. Por BE pret më shumë nga Maqeonia që nga dhënia e statusit vend kandidat për anëtarësim.

Kryeministri maqedonas Gruevski tha se ligjet e parapara për miratim deri në dhjetor do të bëhen edhe më përpara, në muajin korrik dhe aktet nënligjore të përfundojnë deri në shtator. Kryemisnirti Gruevski tha se brenda vitit 2007 do të ketë punësime në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit aq sa janë bërë për katër vitet e ardhshme.

Komisioneri Rehn u takua edhe me presidentin Cërvenkovski, kryetarin e Parlamentit dhe me tre drejtues të partive politike. Nga ana tjetër vështirë se pritet një takim i shpejtë midis zotërinjve Ahmeti dhe Gruevski. Radmilla Sheqerisnka e LSD thotë se veprimi i opozitës është i kufizuar, por se edhe më tutje do të bëhet ç’mos që ky lloj kritikash të ndryshojë në të ardhmen: “Nëse qeveria sillet në këtë mënyrë shanset për anëtarësim në BE do të jenë minimale”.

“Këmbëngulëm që ta bindim z.Oli Rehn se kriza që paraqitet si mungesë e dialogut është vetëm një projeksion apo dëshirë për ta rrëzuar qeverinë e Maqedonisë. Qëndrimi jonë ishte se qeveria mund të bie dhe kjo nuk i shkakton ndonjë prblem të madh PDSH-së por me dëshirën e atyre që e bëjnë qeverinë dhe jo me dëshirën e atyre të cilët duan me ç‘do kusht ta rrëzojnë qeverinë” , tha Menduh Thaçi i PDSH-së/

Komisioneri Rehn përpuroi një libër të tij në Shkup të titulluar “Kufijtë e ardhshëm evropianë.” //rd//

XS
SM
MD
LG