Lidhje

Di Karlo: Statusi i Kosovës, zgjidhje për qëndrueshmërinë në rajon


Zëvendësndihmës sekretarja amerikane e shtetit Rosmari Di Carlo tha sot se statusi përfundimtar i Kosovës duhet të jetë një zgjidhje që të prodhojë stabilitet dhe të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës. Ajo i bëri këto komente në Tiranë ku prej ditës së djeshme është takuar me autoritetet kryesore të vendit. Zonja di Carlo tha se procesi për statusin ka më shumë se një vit që ka nisur dhe se tashmë është koha që të gjithë qytetarët e rajonit të kenë qartësi për të ardhmen e tyre.

Ajo që u shpreh qartë nga zëvendësndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Rosmari di Carlo ishte se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të mos ketë më vonesa në mbylljen e procesit të përcaktimit të statusit dhe se zgjidhja që do të ofrohet duhet të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës.

Zyrtarja e lartë amerikane tha se paketa e propozuar nga kryenegociatori Ahtisaari është e drejtë dhe e ekuilibruar dhe se me të ai ishte përpjekur të kënaqte interesat e të dy palëve. Tashmë tha ajo eshtë e rëndësishme që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e ditëve që vijnë dhe vlerësoi atë që e quajti si një angazhim konstruktiv të Prishtinës dhe politikanëve të saj. “Ne së bashku me disa vende të tjera të grupit të kontaktit kemi qëndrime të përcaktuara mjaft qartë lidhur me statusin e Kosovës. Ne besojmë se zgjidhja duhet të prodhojë stabilitet në rajon, duhet të cojë përpara zhvillimin e një shoqërie multietnike në Kosovë dhe duhet të jetë e pranueshme nga qytetarët dhe populli i Kosovës” tha zonja di Carlo.

Zyrtarja e lartë amerikane përsëriti disa herë se Shtetet e Bashkuara mbështesin propozimet e kryenegociatorit Ahtisaari dhe afatet kohore të përcaktuara nga ai. “Ne shpresojmë se presidenti Ahtisari do të jetë në gjendje të angazhojë në bisedime palët gjatë javëve që vijnë për ta zgjidhur këtë cështje në mënyrë që i gjithë rajoni të shënojë përparim. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që kjo cështje të zgjidhet pa vonesa”, tha zonja di Carlo duke kujtuar se “pas 8 vitesh nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe kur procesi i bisedimeve për statusin ka më shumë se një vit që vazhdon, është koha që qytetarët e rajonit të kenë qartësi për të ardhmen e tyre” saktësoi ajo.

Përsa i përket Shqipërisë dhe zhvillimeve të këtushme zonja di Carlo përsëriti qëndrimet e njohura tashmë si për zgjedhjet ashtu dhe për perspektivën e integrimit në Nato. Zgjedhjet u shpreh ajo është e rëndësishme të mbahen të drejta dhe të lira. Dhe se dicka e tillë, saktësoi ajo, është dhe një kriter për antarësimin në Nato e cila është një organizatë jo vetëm ushtarake por politike dhe një bashkim vlerash. “Shqipëria ka arritur shumë, por ende shumë mbetet për të bërë”, tha zonja di Carlo duke përsëritur angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Shqipërinë në realizimin e reformave të nevojshme për anëtarësim. “Shpresojmë që takimi i nivelit të lartë të Aleancës në vitin 2008 të bëjë ftesa për anëtarë të rinj, prandaj po punojmë me të tre vendet e kartës së Adriatikut që aspirojnë anëtarësimin”, tha zyrtarja e lartë amerikane. //rd//

XS
SM
MD
LG