Lidhje

Tiranë, ODIHR raportin e tretë mbi procesin zgjedhor


Në Shqipëri, misioni i vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it – Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, e specializuar në çështjet e zgjedhjeve – publikoi mbrëmë raportin e tretë paraprak mbi procesin parazgjedhor. Raporti është më së shumti përshkrues.

Vëzhguesit shprehin shqetësim mbi çështje që lidhen mbi ngritjen e komisioneve të qeverisjes vendore, ku partitë, sipas këtij raporti, kanë shfrytëzuar gjerësisht të drejtën e tyre për ndërruar anëtarët. Siç ka deklaruar pak ditë më parë kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Çlirim Gjata, forcat politike kanë ndryshuar 80 për qind të anëtarëve të emëruar prej tyre në komisionet e niveleve të dyta, ndonëse një pjesë e tyre e kishin kaluar edhe fazën kualifikuese.

Sipas raportit, shqetësime ka patur për regjistrimin e emigrantëve, të cilët, në bazë të ligjit, përfshihen në lista nga një grup dypartiak.Vëzhguesit konstatojnë se në disa raste këto grupe nuk janë ngritur, ose në raste të tjera, përfaqësues të opozitës në pushtetin vendor janë lënë jashtë.

Në raport konstatohet se fushata nisi me sulme verbale personale, të cilat më pas erdhën në zbutje. Partitë nuk e kanë firmosur kodin e etikës, të propozuar nga Presidenti Alfred Moisiu, por ato, gojarisht, kanë premtuar se do ta respektojnë atë – thuhet në raport, i cili vëren se deri tani janë regjistruar probleme të vogla, si sulme verbale, grisje afishesh, dhe vetëm një rast konflikti me armë ndërmjet përfaqësuesve të dy kampeve kryesore në Gjirokastër. //az//

XS
SM
MD
LG