Lidhje

Ndikimi i Shekspirit në jetën amerikane


Këtë vit mbushen 75 vjet nga themelimi i Bibliotekës Foldger për Shekspirin, e cila ka koleksionin më të madh në botë të materialeve të lidhura me këtë gjigand letrar. Koleksioni ruhet në Uashington dhe kohët e fundit një nga punonjësit e bibliotekës filloi hulumtimet në këtë thesar dokumentash për të zbuluar ndikimin që ka pasur Shekspiri në jetën amerikan, duke filluar që nga themelimi i këtij kombi.

Georgianna Zigler e Bibliotekës Folger shpjegon se Shekspiri u bë që në fillim pjesë e jetës amerikane duke ushtruar ndikim kryesisht gjuhësor: "Shekspiri u bë pjesë e anglishtes që përdorej në Amerikë, përmes programeve mësimore, por edhe pasi njerëzit kishin në shtëpi vepra të Shekspirit. Nëse ndokush kishte libra, zakonisht kishte një kopie të Biblës dhe së dyti ndonjë vepër të Shekspirit".

Por ndikimi i kësaj legjende të letërsisë botërore ka shkuar shumë më thellë se kaq. Zonja Ziegler shpjegon se shumë shprehje idiomatike të gjuhës së përditshme janë marrë nga ndonjë vepër e Shekspirit. Arsyeja përse shprehje të tilla kanë kapërcyer shekujt dhe ende janë të freskëta? Pasi janë shprehje që t’i pëlqen veshi. Për shembull “Të jesh apo të mos jesh”, nga Hamleti, por edhe të tjera. Këto shprehje kanë origjinalitet dhe janë vërtetë proverbiale.

Ndoshta pavdekshmëria e Shekspirit rrjedh nga gjenialiteti i tij për të përdorur një gjuhë të thjeshtë, bisedore të kohës, që mbetet ende e kuptueshme për folësin e anglishtes të shekullit të 21-të.

Studjuesja shton se nuk është shumë për t’u çuditur që kaq shumë fjalë dhe shprehje nga gjuha e Shekspirit janë inkuadruar në anglishten që përdoret sot në Shtetet e Bashkuara: "Nuk është e çuditshme, pasi anglishtja që përdoret në Shtetet e Bashkuara e ka zanafillën tek anglishtja britanike e asaj kohe. Njerëzit në fillimet e kolonizimit të kontinentit amerikan i kthenin sytë nga Britania për vepra letrare.Vetëm nga shekulli i 19 dolën autorë amerikanë si Hawthorne apo Melville, të cilët u përqëndruan në krijimin e një tradite letrare amerikane. Por edhe këta autorë ishin shumë të familjarizuar me veprën e Shekspirit".

Për të zbërthyer hallkat lidhëse ndërmjet kulturës amerikane dhe poetit anglez, Biblioteka Foldger ka vënë në dispozicion për publikun koleksionin më të madh dhe më të pasur në botë mbi Shekspirin. //rd//

XS
SM
MD
LG