Lidhje

Kancelarja Merkel kërkon bashkëpunimin e Rusisë për sigurinë globale


Kancelarja gjermane Angela Merkel, vendi i së cilës ka kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të jetë i bashkuar për të përballuar sfidat globale. Në hapje të një konferencë të nivelit të lartë për sigurinë globale, zonja Merkel i bëri thirrje Rusisë që të bashkohet me përpjekjet për ta bërë botën më të sigurt. Ndërkohë presidenti rus paralajmëroi kundër militarizimit të hapësirës.

Mes masave të rrepta të sigurisë në Munich, Angela Merkel hapi konferencën e 43-të vjetore për Politikat e Sigurisë sot në mëngjes. Në fjalimin para pjesëmarrësve të nivelit të lartë nga 40 vende, kancelarja gjermane tha se bota po shndërrohet në një vend gjithnjë e më të rrezikshëm. Kërcënimeve globale mund t’u bëhet ballë vetëm me veprime të përbashkëta, tha zonja Merkel.

Sot ne kemi nevojë të ndajmë përgjegjësitë përtej zonës së Amerikës Veriore dhe Evropës”.

Angela Merkel thotë se komuniteti global duhet të ndajë përgjegjësitë për gjendjen e botës. Ajo thotë se Rusia ka një rol qendror në sigurinë globale.

“Jam plotësisht e bindur se përgjigjia ndaj pyetjes se çfarë forme do të marrin marrëdhëniet e ardhshme mes Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Rusisë, do të ketë një ndikim vendimtar tek qëndrueshmëria e zonave të përbashkëta të botës. Ka një ndikim thelbësor tek marrëdhëniet me shtetet përreth dhe është e vërtetë se Rusia ka përgjegjësi të përbashkëta me ne në shumë sfera”.

Zonja Merkel i bëri thirrje Rusisë që të jetë një partnere e besueshme në tregtinë e energjisë. Ajo theksoi rëndësinë e dialogut për zgjidhjen e çështjeve mes Rusisë dhe shteteve fqinje.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se forca ushtarake është përdorur më shumë se ç’duhet për të përballuar sfidat globale. Presidenti rus tha se nëse përdoret në mënyrë të njëanshme lufta do të vazhdojë të krijojë ndarje në komunitetin ndërkombëtar.

Përdorimi i ligjshëm i forcës mund të realizohet vetëm në kuadrin e Kombeve të Bashkuara. Kombet e Bashkuara nuk mund të zëvendësohen nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian”.

Zoti Putin i kritikoi ashpër planet e Shteteve të Bashkuara për të dislokuar sisteme për mbrojtjen nga raketat në Evropën Lindore. Ai tha se plani amerikan është një fazë e re në garën e armatimeve.

"Militarizimi i hapësirës, sipas mendimit të Rusisë mund të provokojë pasoja të paparashkueshme për komunitetin botëror, jo më pak sesa fillimi i epokës bërthamore”.

Presidenti rus shprehu pakënaqësinë për zgjerimin e aleancës së NATO-s drejt lindjes. Zoti Putin tha se NATO-ja është një organizatë politike dhe Rusia nuk mund të jetë e kënaqur me një infrastrukturë ushtarake të huaj në kufijtë e saj. Presidenti rus përsëriti angazhimin ndaj tregëtisë së lirë. Por ai shtoi se Rusia nuk do të sakrifikojë sigurinë ekonomike për ato që ai i quajti kërkesa të padrejta për të hapur më shumë se ç’duhet tregjet ruse ndaj kontrollit prej kompanive të huaja, siç u shpreh ai.

Duke folur për Kosovën, Presidenti Putin tha se Kremlini do të bllokojë çdo propozim për zgjidhjen e konfliktit, nëse ai është i papranueshëm si për Serbinë, ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës.

“Vetëm kosovarët dhe serbët mund ta dinë se çfarë do të ndodhë në Kosovë. Ne nuk duhet të marrim vendime për ta, nuk duhet të marrim rolin e perëndisë dhe të përpiqemi të zgjidhim të gjitha problemet e tyre”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për kujdes ndaj kundërshtimeve serbe ndaj pavarësisë së mundshme për Kosovën. Zonja Merkel tha se Serbisë i duhet kohë që të mësohet me humbjen e mundshme të Kosovës dhe kjo duhet shoqëruar me premtimin se një Serbi mnoderne dhe demokratike ka një të ardhme në Bashkimin Evropian.

Senatori amerikan John McCain bëri thirrje për një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës, në mënyrë që rajoni të ecë drejt një të ardhmeje më të begatë dhe sigurt. //rd//

XS
SM
MD
LG