Lidhje

Kosovë: Shpërndahet me forcë protesta e lëvizjes “Vetëvendosje”


Disa dhjetëra persona janë plagosur gjatë protestave që u shpërndanë me forcë sot në Prishtinë. Njësitë e policisë së Kombeve të Bashkuara dhe Shërbimit Policor të Kosovës, përdorën gazin lotsjellës, plumba kauçuku dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë mijëra protestues që po kundërshtonin procesin aktual për zgjidhjen e statusit politikë të Kosovës.

Për disa orë ka zgjatur operacioni për shpërndarjen e protestuesve, përplasjet e të cilëve me policinë shpërthyen pas përpjekjes për kalimin e rrethimit të policisë e cila rreth dy orë para fillimit të protestës kishte vendosur masa të rrepta sigurie përreth institucioneve ndërkombëtare dhe vendase. Të paktën 15 veta janë arrestuar, në mesin e të cilëve edhe udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, ndërsa, sipas zyrtarëve të Spitalit të Prishtinës, rreth 80 veta kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga të cilët të paktën katër me plagë më të rënda.

Protesta e cila filloi në orën 14:00 pasdite kaloi e qetë derisa protestuesit nuk u mblodhën në afërsi të ndërtesës së qeverisë së Kosovës duke bërë thirrje kundër propozimit të kryenegociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari por edhe kundër ekipit te negociuesve të Prishtinës si dhe kundër Misionit të Kombeve të Bashkuara. Oratorët e protestës në mesin e të cilëve ishte edhe veprimtari i njohur Adem Demaçi, thanë se propozimi i zotit Ahtisaari nuk përmbushë synimet e qytetarëve të Kosovës e më së paku të drejtën për vetëvendosje.

Kritika shumë të ashpra janë bërë në adresë të ekipit të ngeociuesve të Kosovës për siç është thënë lëshime të mëdha që i janë bërë Beogradit në negociatat e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, që filluan në Vjenë në shkurt të vitit të kaluar. Protesta ka përfunduar pas orës 17 dhe aktualisht gjendja në qytet duket e qetë.

Një zëdhënëse e qeverisë së Kosovës tha se dhuna e sotme ishte e panevojshme, ndërsa reagimin e policisë e ka cilësuar si profesional. Ndërkaq Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka cilësuar si të tepruar forcën e përdorur kundër protestuesve. Gjendja në orët e mbrëmjes në Prishtinë duket e qetë.

Kundër propozimit të zotit Ahtisaari është protestuar edhe dje në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Mijëra pjesëtarë të komunitetit serb e kundërshtuan propozimin I cili sipas tyre u ofron shqiptarëve pavarësi nga shteti serb.

Bisedimet rreth propozimit të zotit Ahtisaari pritet të fillojnë më 21 shkurt në Vjenë të Austrisë, para se të dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në muajin mars. //kk//

XS
SM
MD
LG