Lidhje

Dobins: Procesi i statusit do të çojë në një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën


Analisti i Institutit prestigjoz RAND, Xhejms Dobins, ish i dërguar i Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe Bosnjen, thotë se procesi i statusit do të çojë në një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën, pra pavarësi me një farë mbikqyrjeje ndërkombëtare për një kohë të gjatë, shumë e ngjashme me situatën që ekziston sot në Bosnje. Në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi, zoti Dobins, tha gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara do të kalojë nëpër një sërë pengesash dhe rusët ka mundësi ta vonojnë këtë proces.

Zëri i Amerikës: Propozimi i zotit Ahtisari i ngjan më shumë një pavarësie për Kosovën. A shihni ju një proces pa pengesa në Kombet e Bashkuara për finalizimin e statusit përfundimtar?

Xhejms Dobins: Unë parashikoj që procesi të vazhdojë dhe të çojë në një pavarësi të kushtëzuar, pra një pavarësi me një farë mbikqyrjeje ndërkombëtare për një kohë të gjatë, shumë e ngjashme me situatën që ekziston sot në Bosnje. Nuk mund të them se sa i lehtë do të jetë ky proces. Kjo do të varet nga fakti se sa do të binden rusët për ta pranuar raportin e Ahtisarit së bashku me rezolutën për zbatimin e tij. Nëse rusët nuk e bëjnë këtë, atëhere Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e vendeve të mëdha evropiane mund të duhet të veprojnë të vetme për ta njohur Kosovën pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Nuk mendoj se rusët do ta donin këtë, as Shtetet e Bashkuara dhe as evropianët, prandaj do të ketë përpjekje për të miratuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Dhe nëse kjo pengesë kapërcehet, atëhere kur mund të ketë Kosova një vend në Kombet e Bashkuara?

Xhejms Dobins: Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara kalon nëpër një sërë pengesash dhe rusët ka mundësi ta vonojnë këtë proces për një farë kohe. Pra mendoj se kjo është një tjetër pengesë që do të duhet të tejkalohet.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë, shumica e serbëve jetëojnë në enklava. A mundet që dy palët të bashkëjetojnë në rrethana të tilla?

Xhejms Dobins: Kjo do të varet shumë nga sinjalet që do të vijnë nga Beogradi sepse serbët e Kosovës vazhdojnë të ndihkohen nga këto sinjale të udhëheqjes së Beogradit. Nëse Beogradi është i vendosur ta kundërshtojë zgjidhjen dhe ta bëjë zbatimin e saj sa më të vështirë, atëhere serbët do të vazhdojnë të bëjnë një jetë të izoluar dhe të varen nga ndihmat e Serbisë, e cila nuk është një shtet i pasur dhe është vetë mjaft e izoluar si shoqëri. Por nëse ata marrin sinjale më pozitive, atëhere ata do të gëzojnë autonomi më të madhe, mundësi të konsiderueshme për të marrë vendime në aspektin e kulturës dhe të arsimit, do të kenë aftësi për të ruajtur lidhje të forta me Serbinë dhe në të njëjtën kohë të marrin pjesë në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Përtej deklaratave, përse komuniteti ndërkombëtar është kaq kundër një ndarjeje të Kosovës, një alternativë që disa analistë por edhe politikanë kanë propozuar?

Xhejms Dobins: Mendoj se mësimet që dalin nga Ballkani na tregojnë se kufijtë ekzistues nuk duhen ndryshuar dhe nëse njësi të veçanta territoriale brenda një njësie më të madhe duan të shkëputen, ato duhet të shkëputen brenda kufijve ekzistues. Për shembull, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, pothuajse të gjitha republikat qendruan brenda kufijve të tyre ekzistues, ato nuk i ripërcaktuan kufijtë. Mendoj se nëse fillohet të ripërcaktohen kufijtë e Kosovës, atëhere do të duhet të ripërcaktohen edhe kufijtë e Serbisë. Nëse parimi do të jetë që zonat me shumicë serbe të Kosovës duhet t’i kalojnë Serbisë, atëhere edhe zonat me shumicë shqiptare të Serbisë duhet t’i kalojnë Kosovës. Kështu për shembull, Lugina e Preshevës do të duhej t’i kalonte Kosovës. Ky mund të ishte një shkëmbim i arësyeshëm por Beogradi nuk e ka ofruar diçka të tillë. Nëse Beogradi të propozonte një shkëmbim territorial, atëhere komuniteti ndërkombëtar mund ta shikonte këtë si diçka që mund t’ja vlente të shqyrtohej. Por meqë Beogradi nuk e ka ofruar këtë, atëhere kjo do të duhej t’u imponohej të dyja palëve nga komuniteti ndërkombëtar duke i bërë të pakënaqura të dyja palët. Nga ana tjetër, nëse ky parim do të zbatohej vetëm për zonat e Kosovës me shumicë serbe por jo për zonat e Serbisë me shumicë shqiptare, kjo do të ishte e padrejtë. Gjithashtu kjo do të shërbente si precedent i pakënaqshëm për rajone të tjera të Ballkanit, si Bosnja ose Vojvodina.

Zëri i Amerikës: Sa gjatë mendoni se duhet të qendrojë prania ndërkombëtare në Kosovë?

Xhejms Dobins: Mendoj se me siguri që do të zgjasë edhe një dekadë. Ndoshta në nivele shumë më të ulta, por natyrisht që do të zgjasë për sa kohë që Serbia të ketë kundërshtime ndaj legjitimitetit të marrëveshjes për Kosovën. Kjo do të jetë prani në nivele shumë të ulta sepse askush nuk mendon se Serbia do ta sfidojë atë ushtarakisht pra do të jetë një mbrojtje simbolike ndaj një kundërshtimi simbolik sepse në fakt serbët nuk dëshirojnë ta qeverisin Kosovën por nga ana tjetër ata nuk mund ta durojnë dot simbolizmin e humbjes së Kosovës. Në Bosnje ka një prani ushtarake që prej 10 vjetësh, e cila është tashmë një forcë e Bashkimit Evropian. Ka mundësi që në Kosovë, pas pesë vjetësh forca e NATO-s të shndërrohet në një kontingjent i Bashkimit Evropian. Por mendoj se atje do të ketë një prani ushtarake për sa kohë që Serbia ta verë në pikëpyetje legjitimitetin e statusit përfundimtar dhe për sa kohë që në shoqërinë e Kosovës të ketë elementë serbë të cilët nuk e pranojnë idenë e të jetuarit si pakicë e respektuar dhe e sigurt brenda një shteti me shumicë shqiptare.

Zëri i Amerikës: SHBA luajtën një rol kritik në arritjen e rezultatit që ne pamë në propozimin e zotit Ahtisari. A do të zvogëlohet ky rol pas zgjidhjes së statusit të Kosovës?

Xhejms Dobins: Natyrisht, Shtetet e Bashkuara e shikojnë Ballkanin si një problem kryesisht evropian dhe jo amerikan. Shtetet e Bashkuara u angazhuan në Ballkan në vitet 90 sepse problemi ishte tepër i madh për Evropën. Ndërkohë që Evropa bëhet më kompetente, Shtetet e Bashkuara do të ishin të kënaqura ta zvogëlonin rolin e tyre dhe këtë e kemi parë në Bosnje. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara gëzojnë besueshmëri të madhe te popullata shqiptare në Kosovë, e cila nuk u beson evropianëve në të njëjtën masë sa i beson Amerikës. Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme se roli i tyre mbetet i rëndësishëm dhe nuk kam përshtypjen se Amerika është e interesuar të heqë dorë nga ky rol.

XS
SM
MD
LG