Lidhje

SHBA i bën thirrje NATO-s të bashkëpunojë me Rusinë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates u bëri thirrje vendeve të Natos të punojnë me Rusinë për çështjet e sigurisë. Në fjalën e tij sot në Konferencën vjetore të sigurimit në Mynih të Gjermanisë, zoti Gates hodhi poshtë pretendimet e Presidentit Putin se Shtetet e Bashkuara po nxisin një garë të re globale armatimesh. Sekretari amerikan i Mbrojtjes u bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare të Natos të përmbushin angazhimet e tyre për shtimin e trupave në Afganistan. Sekretari Robert Gates tha në konferencën ndërkombëtare për sigurinë në Mynih se disa politika ruse bien ndesh me qëndrueshmërinë globale.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates theksoi para ekspertëve të sigurisë se bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë dekadave të fundit. Ai tha se sfidat e përbashkëta në një botë me shumë sfera influence kërkojnë nga vendet e ndryshme bashkëpunimin në partneritet.

Sekretari Gates tha se misioni i Natos në Afganistan është një provë me pasoja të mëdha për vlerat e përbashkëta të Aleancës. Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të pasojnë angazhimet e tyre me fonde dhe forca ushtarake:

“Natoja nuk është një organizatë antarësimi në letër apo një klub vendesh, por një aleancë ushtarake, e cila ka detyrime reale dhe serioze globale”, tha Sekretari Gates.

Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi dje ashpër politikat amerikane, duke thënë se krijojnë paqëndrueshmëri globale dhe çojnë në luftra të reja. Shtëpia e Bardhë reagoi me habi dhe zhgënjim ndaj fjalëve të zotit Putin. Media gjermane komenton se fjalimi i Presidentit rus mund të jetë fillimi i një konfrontimi amerikano-rus. Megjithatë, zoti Gates thotë se Amerika nuk dëshiron konfrontim me Moskën:

“Rusia është partnere në përpjekjet tona. Por njëkohësisht ne nuk gjejmë shpjegim për disa politika ruse, të cilat duket se veprojnë kundër qëndrueshmërisë globale, si transferimi i armëve dhe prirjet e saj për të shfrytëzuar burimet e energjisë si presion politik. Siç tha dje Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jaap de Hoop Scheffer, Rusia nuk duhet t’u trembet demokracive që respektojnë ligjin në kufi me të”.

Zoti Gates tha se e kishte pranuar ftesën e Presidentit Putin për një vizitë në Moskë javën e ardhshme.

Kryenegociatori iranian për çështje bërthamore, Ali Larijani i siguroi pjesëmarrësit në konferencë se programi bërthamor i Teheranit nuk ka synime agresive. Megjithatë, zoti Larijani tha se sanksionet perëndimore nuk do t’i ndalin përpjekjet e Iranit për të prodhuar karburant bërthamor.

250 përfaqësues nga 40 vende morën pjesë në konferencën e 43 për sigurinë globale, e cila mbahet për vit në Munih të Gjermanisë. //kk//

XS
SM
MD
LG