Lidhje

28 vjet pas revolucionit iranian


11 shkurti 1979 njihet si dita kur filloi revolucioni iranian. Po atë vit, të rinj revolucionarë iranianë hynë në ambasadën amerikane dhe morën peng personelin e saj. Që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara dhe Irani vazhdojnë të jenë në armiqësi të thellë me njëri-tjetrin. Po i hedhim tani një vështrim këtij revolucioni dhe ndikimit që ka patur ai brenda dhe jashtë Iranit.

Njëlloj si të shikosh një objekt me lente të ndryshme, Irani dhe Perëndimi, sidomos Shtetet e Bashkuara, kanë pikpamje thellësisht të ndryshme për revolucionin iranian.

Për iranianët, ai shihet si përmbysja e një monarku autokrat – Shahut të Iranit, i cili e sundoi vendin me ndihmën ushtarake dhe financiare amerikane dhe zëvendësimi i tij nga një qeveri teokratike e udhëhequr nga Ajatollah Khomenei.

Por për Shtetet e Bashkuara, ky revolucion lidhet në mënyrë të pazgjidhëshme me marrjen e ambasadës amerikane në Teheran nga studentët. Të rinjtë iranianë hynë me forcë në ambasadë në nëntor 1979 dhe e mbajtën peng personelin e saj për 444 ditë.

Gary Sick, i cili ka punuar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar gjatë krizës së pengjeve, thotë se për Shtetet e Bashkuara kjo shënonte daljen tronditëse në skenë të fondamentalizmit islamik, kur bota njohu natyrën e qeverive islamiste.

"Ishte kriza e parë e madhe që ne e shihnim çdo ditë në ekranet e televizorëve. Çdo ditë, amerikanët shihnin zhvillimin e saj hap hapi, se si studentët fanatikë jashtë ambasadës amerikane thërrisnin “Vdekje Amerikës” dhe tundnin grushtat. Këto pamje krijuan një imazh të Iranit – njerëz fanatikë me të cilët ishte e pamundur të bisedoje dhe që ishin fare të painteresuar për ligjin ndërkombëtar. Mendoj se pikërisht këto pamje përbëjnë edhe sot praktikisht imazhin e Iranit për shumë amerikanë."

Shumë iranianë e shohin revolucionin më shumë si një mënyrë jetese se sa si një ngjarje historike. Vendi ka kaluar nëpër ndryshime të thella gjatë viteve. Në një farë mënyre, revolucioni ka përshkuar tashmë një cikël të plotë, nga mospërfillja reciproke mes Teheranit dhe Uashingtonit e përsëri te konfrontimi.

Pak më shumë se një vit pas revolucionit iranian, Iraku sulmoi Iranin dhe lufta mes tyre zgjati 8 vjet.

Shtetet e Bashkuara mbështetën Saddam Husseinin në këtë konflikt. Gary Sick thotë se lufta ndryshoi drejtimin e revolucionit.

"Revolucioni ka patur disa zigzake interesante. Në fillim të viteve 80 ishte shumë dogmatik dhe i ethshëm. Më pas, kur Sadami sulmoi dhe vendi hyri në luftë, Irani u bë shumë më nacionalist dhe shumë më pak i interesuar për të mbështetur revolucionin. Ai u bë shumë më i interesuar për mbrojtjen e interesave të veta kombëtare dhe i ngjante një vendi të zakonshëm që ishte në luftë."

Paul Pillar, ish analist i CIA-s për Lindjen e Mesme tha në një diskutim për Iranin se lufta e gjatë dhe e përgjakëshme vazhdon të ushqejë interesat e Teheranit kundrejt Irakut që pas rënies së Sadamit e deri në ditët tona.

"Nuk është për t’u habitur që Irani ka interesa të mëdha në Irak. Në fund të fundit, ishte pikërisht Iraku, i cili në kohën e Sadam Huseinit filloi luftën e cila çoi në vdekjen e qindra mijra iranianëve."

Perëndimi dhe sidomos Shtetet e Bashkuara, ngulin këmbë se Irani ka sot ambicje për të qenë edhe një fuqi bërthamore. Irani i mohon akuzat.

Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad nuk ka ndihmuar për zbutjen e tensioneve mes Iranit dhe Perëndimit. Ky ish pjestar i rojeve revolucionare që ka marrë pjesë edhe në luftën me Irakun, nuk dëshiron t’i përulet vullnetit të Amerikës.

Ka patur zëra për një konfrontim të mundshëm ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit por zyrtarë të administratës amerikane mohojnë se ka ndonjë plan të tillë. Megjithatë, administrata nuk e fsheh dëshirën për të parë ndryshime politike në Iran.

Sot, shumë nga pankartat revolucionare nuk janë më dhe janë zëvendësuar nga reklamat. Ish ambasada amerikane, ndonëse edhe sot quhet me përbuzje “çrdhe spiunësh” është kthyer tashmë në një shkollë trainimi. Por hijet e revolucionit iranian vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë pengesë për marrëdhëniet e Iranit me Perëndimin. //kk//

XS
SM
MD
LG