Lidhje

Çeku: Ministri i Brëndshëm nuk mban përgjegjësi për dhunën e fundit

  • Linda Karadaku-Ndou

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, e quajti të hënën mbrëma 'sakrificë' dorëheqjen e ministrit të brendshëm Fatmir Rexhepi pas vdekjes së dy protestuesve, pas plagëve të marra gjatë protestës të së shtunës, kur policia ndëhyri duke përdorur gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe plumba plastikë.

Kryeministri tha se e konsideron dorëheqjen si akt moral megjithë faktin se në bazë të ligjeve dhe dispozitave ligjore në fuqi zoti Rexhepi nuk mund të ketë përgjegjësi direkte për dhunën e shkaktuar dhe humbjen e jetëve të dy qytetarëve të Kosovës dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Ministri i brendshëm Fatmir Rexhepi, dha dorëheqjen të hënën, duke thënë se ndjente përgjegjësi morale para familjeve të viktimave

Kryeministri Çeku, i cili doli me një deklaratë për media pas një mbledhjeje urgjente të qeverisë, tha se ky akt moral i Ministrit të Punëve të Brendshme duhet të pasohet me një punë shumë më efikase të organeve të drejtësisë dhe të rendit, në mënyrë që të gjithë individët që kanë nxitur dhunën të nxirren sa më shpejtë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

“Po kështu, policia ndërkombëtare dhe Shërbimi Policor i Kosovës duhet që sa më shpejtë të bëjnë analizat vetjake dhe të marrin masa në rastin eventual të përdorimit të shtuar të forcës”, theksoi ai.

Kryeministri e pranoi dorëheqjen e ministrit Rexhepi dhe caktoi zëvendësministrin Blerim Kuqi si ushtrues detyre i ministrit të brendshëm deri në zgjedhjen e ministrit të ri. Në lidhje me këtë, Kryeministri i Kosovës do të konsultohet me Presidentin Sejdiu për hapat e mëtejshëm. Kryeministri tha se qeveria e tij mbetet e qëndrueshme, e fuqishme dhe me kapacitet të plotë dhe e angazhuar që të çojë përpara procesin.

Zoti Çeku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të jenë të qetë dhe të kenë durim dhe u shpreh se beson se asgjë dhe askush nuk do të mund të ndërhyjë dhe ta çorientojë procesin e pavarësimit të Kosovës, tani, në ditët më kritike dhe më vendimtare.

Një nga dy viktimat e protestës të së shtunës, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë, Arben Xheladini, 34 vjeç, u varros të hënën në varrezat e Prishtinës. Ai la pas gruan dhe një djalë 3 vjeçar. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit, nga aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje, dhe mijëra qytetarë të Kosovës.

Kryeministri Çeku ka ngulur këmbë që hetimi për ngjarjet e së shtunës, përfshi këtu edhe rastin e dy viktimave, të jetë i paanshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës. Të dhënat e para paraprake të këtij hetimi, nuk pritet të dalin para dy javësh. //ze//

XS
SM
MD
LG