Lidhje

Bashkimi Evropian mbështet propozimin e të dërguarit Ahtisari


Bashkimi Evropian shprehu sot mbështetje për propozimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari për të ardhmen e Kosovës, duke theksuar se propozimi, do të forcojë stabilitetin në mbarë rajonin e Ballkanit.

I dërguari i posaçëm Marti Ahtisari u takua sot në Bruksel me Ministrat e Jashtëm të Bashkimit për t’i njohur ata me propozimin e tij. Në deklaratën pas takimit, ministrat e jashtëm theksojnë se propozimi krijon bazën e nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm politik dhe ekonomik në Kosovë.

Ministrat evropianë i bënë thirrje me këtë rast Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në mënyrë konstruktive në konsultimet përfundimtare për statusin e Kosovës që ka organizuar zoti Ahtisari.

Zyrtarët evropianë vendosën të intensifikojnë përgatitjet për praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë.

Lidhur me Serbinë, Këshilli i Evropës u bëri thirrje autoriteteve serbe të formojnë sa më shpejt një qeveri të angazhuar drejt reformave.

Këshilli po ashtu shprehu gadishmërinë për rifillimin e bisedimeve mbi Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit me Serbinë, por duke i kushtëzuar ato, siç shprehet në deklaratë “me angazhimin e qartë dhe marrjen e masave konkrete e të efektshme nga Beogradi për bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”.

Propozimi i zotit Ahtisari, që e ve Kosovën në rrugën e një shteti, por që nuk e përmend fjalën pavarësi ka venë përballë njera tjetrës Shtetet e Bashkuara me Rusinë. Uashingtoni e përkrah propozimin, ndërsa Moska ka paralajmëruar se ndarja e një shteti evropian sovran pa pëlqimin e tij, do të krijonte një precedent të rrezikshëm në botë. //ze//

XS
SM
MD
LG